Enzo Mareska humbi ndeshjen e tij të parë në Premier League si trajner i Chelsea, pasi Manchester City i mposhti me rezultatin 2-0 në “Stamford Bridge”, duke e nisur me stil mbrojtjen e titullit.

Sitizens u dalluan për një lojë mjaft cilësore, e ditën ta menaxhonin takimin, detaje që bënë diferncën dhe i dhanë fitoren ekipit të Pep Guardiolës kundër një tekniku që dikur kishte qenë nën tutelën e tij.

Erling Haland-it iu deshën 18 minuta që të zhbllokonte  rezultatin. Kjo është rrjeta e 91 për norvegjezin në 100 takime me ekipin anglez.

Në vazhdim, VAR i anuloi një gol bluve të Londrës. Goli i dytë u shënua nga Kovaçiç në minutën e 84. Fitorja gëzoi trajnerin e Sitit, Pep Guardiola.

Pep Guardiola, trajner i Manchester City: Nuk e prisja këtë fitore. E di se çfarë mund të bëjnë këta djem, por ishin pa stërvitje. Vitin e kaluar nuk mundëm të fitonim dot në ‘Stamford Bridge’, e ky është lajm i mirë. Lajmi i keq është se kemi ende 65 apo 70 takime për të luajtur. Por kjo nisje na rrit besimin në ekip.

Ndërsa tekniku i bluve, Enzo Maresca shpjegoi çfarë shkoi keq ne skuadër.

Enzo Maresca, trajner i Chelsea: Performanca ishte e mirë dhe ne garuam kundër ekipit më të fortë në botë. Luajtëm mirë dhe krijuam raste! Dallimi më i madh ishte brenda zonës dhe si e menaxhuan topin në fund. Ata janë mjeshtër në këtë! Nuk na pëlqen të humbim ndeshje, por performanca ishte e mirë!

Sulmuesi kuqezi Armando Broja nuk ishte grumbulluar me ekipin në sfidën e parë të sezonit, ndërsa është në kërkim të një skuadre të re në këtë merkato vere.

Klan News