Federata nigeriane ka zgjedhur një mënyrë tepër interesante për të gjetur trajnerin e ri të kombëtares. Përmes një statusi në rrjetin social ‘Twitter’, përfaqësuesja afrikane ka zbuluar se alternativat për stolin do të bëhen me një aplikim.

“Punë e re. Ne po kërkojmë një trajner të ri për kombëtaren e futbollit të meshkujve. Federata Nigeriane e Futbollit po kërkon një trajner për të marrë frenat e kombëtares së saj. Ky është shansi juaj për të udhëhequr një ekip të pasur në histori dhe për t’i çuar në një lavdi edhe më të madhe. Në skenën ndërkombëtare. A jeni gati?” thuhet mes të tjerash në mundësinë e krijuar nga 3 herë kampionët e Afrikës.

Federata nigeriane synon që aplikuesi të plotësojë disa kushte, si kualifikim i nivelit të lart, përvojë elitare, mentalitet fitues dhe njohuri për futbollin afrikan. Sipas asaj që raporton gazeta Marca, trajnerë të shumtë spanjollë kanë dërguar tashmë aplikimet e tyre dhe janë në pritje të përgjigjes nga federata. 

Kushtet e kontratës do të vendosen në bashkëpunim mes palëve, ku do të përcaktohet edhe paga e trajnerit të ri të kombëtares së Nigerisë.

Klan News