“Dashuria më solli në Uruguaj”, u shpreh Katerina Petro për emisionin “Opinion” në Tv Klan. Rubrika “Shqiptarët në botë” sjell këtë mbrëmje disa prej rrëfimeve më interesante të diasporës ku i pari nis me Katerinën e lindur në Bilisht të Devollit që sot jeton në Amerikën Latine.

Pas përfundimit të studimeve në Bilisht, ajo shkoi në Shkup ku u diplomua për Gazetari, më pas punoi 4 vite në televizionin Alsat në Maqedoninë e Veriut dhe “vendosi të shëtiste botën”. Nga ky udhëtim do të gjente dashurinë në kroçerë, do të martohej dhe do të ndërtonte jetën në Uruguaj.

Katerina Petro: Në fakt ishte ideja e një shoqeje dhe ishte viti 2008, një moment krize në të gjithë botën dhe në atë moment më erdhi mudnësia nëse do të vazhdoja të jetoja në të njëjtin vend apo do të shfrytëzoja mundësinë që akoma isha e re për të parë diçka të re.

Blendi Fevziu: Edhe?

Katerina Petro: Aty dolën kroçerat, një shoqe më tha nëse do të udhëtosh dhe që udhëtimi mos të jetë i shtrenjtë, pse nuk punon në kroçera.

Blendi Fevziu: Kështu që ti e le Alsat-in dhe more kroçerën?

Katerina Petro: Po, nga dita në natë. Një ndryshim total.

Blendi Fevziu: Nga u nise me kroçerë?

Katerina Petro: Në Nju Xhersi.

Blendi Fevziu: Sa shtete shëtite me kroçerë?

Katerina Petro: Më ngeli vetëm kontinenti aziatik. Kam shkuar në Dubai, Egjipt, në tërë pjesën e Amerikës, Kanadasë, Ishujt e Karaibeve.

Blendi Fevziu: Dashurinë si e gjete?

Katerina Petro: Në kroçerë.

Blendi Fevziu: Ishte duke udhëtuar apo ishte…

Katerina Petro: Në kroçerë u martova.

Blendi Fevziu: Bashkëshorti është nga Uruguaj?

Katerina Petro: Po.

Blendi Fevziu: Prej sa vitesh jeton në uruguaj,  prej sa kohësh le edhe kroçerën siç le Alsat-in dhe u vendose në Uruguaj?

Katerina Petro: Gati 11 vjet, në korrik mbush 11 vjet.

Katerina është drejtoreshë e një qendre për gjuhën angleze, ndër më të mëdhatë në vend. Carmelo, qytetin ku ajo jeton, e përshkruan si shumë të bukur e të qetë, me 150-200 mijë banorë dhe një ndër më turistikët e Uruguajit./tvklan.al