Dasma e Skënderbeut është rikthyer në kishën e Shën Marisë në Vaun e Dejës. Kjo ngjarje u risoll pikërisht në vendin ku mendohet se janë kurorëzuar Gjergj Kastrioti me Donika Aranitin.

Ata që kishin edhe rolet kryesore në këtë organizim shprehen të kënaqur dhe të priviligjuar ndërsa realizimi nuk ishte i lehtë.

“Shumë mirë, roli që na kanë ofruar mua dhe Antonit ka qenë i papritur, por shumë e bukur dhe e kemi marrë me shumë kënaqësi këtë rol.”

“Nuk e di se sa mundet t’i afrohemi heroit tonë kombëtarë, por jemi munduar të bëjmë më të mirën që të dalë sa më mirë. Ftesën e kam pritur me shumë kënaqësi e shumë emocion.”

Nisma mori jetë muaj më parë në Austri ndërsa pjesë e organizimit janë bërë shqiptarë nga treva të ndryshme.

“Jemi munduar që ta risjellim sepse është diçka autentike e jona, e pse ne mos ta sjellim në bashkinë tonë. Kemi prej të gjitha trevave, Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës, Preshevë”, thekson organizatorja Altina Ndrekaj.

Historianët tregojnë se Skënderbeu kishte interes të veçantë për këtë zonë dhe kishën.

“Ai në fakt ka pasur një simpati për këtë kishë dhe në një dokument del se ai e ka ndërtuar kishën e Shën Mërisë këtu dhe në anën tjetër unë e mbaj edhe në atë që ka dashur të vendosë kurorë këtu sepse ai ka pasur nevojë që të kurorëzohet në kishën katolike për shkak të diplomacisë europiane që të ketë marrëdhënie sa më të mira me papatin”, shprehet historiani Dom Nik Ukgjini.

Kisha e Shën Marisë në Vaun e Dejës është ndër më të vjetrat në territorin shqiptar dhe i ka mbijetuar shekujve.

Veç këtij vendi, pretendohet se Skënderbeu dhe bashkëshortja e tij janë kurorëzuar edhe në manastirin e Ardenicës në Lushnjë.

Klan News