Pas deklaratave të gjykatës dhe prokurorisë së Korçës, ka reaguar edhe kryeministrit Edi Rama. Ai i cilëson një çorbë të gjitha qëndrimet kundër policisë dhe urgjencës, ndërsa theksoi se vetëdorëzimi i autorit u krye falë punës së policisë.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Ata që kanë krijuar çorbën e pistë kundër policisë dhe urgjencës tani flasin për deklarata kontradiktore të shtetit apo për vetëdorëzim të autorit, ndërkohë që s’ka pasur asnjë deklaratë kontradiktore apo a thua se vetëdorëzimi brenda pak orësh i autorit dhe arrestimi i tij, janë gjëra kontradiktore, kur në fakt vetëdorëzimi sikundër e tregon qartë e gjithë dinamika e reagimit përkatës është rezultat i punës së policisë e jo një akt vullnetar nga hiçi i vrasësit!

Ai shton se Policia e shtetit dhe Urgjenca nuk do te reagonin nëse burimet e dizinformimit dhe të keqinformimit do t’i ishin referuar fakteve, e jo sajesave të njëri-tjetrit.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Ky është rasti tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht dhe si provë e maskaradës mjafton vetëm fakti se askush nga nxitësit dhe komentatorët e maskaradës nuk iu referua asnjë çast komunikatës së Policisë Vendore të Korçës, po së bashku iu referuan dizinformimeve e keqinformimeve të njëri-tjetrit për të helmuar sa më shumë opinionin publik.

Rama mbështeti sërish punën e policisë dhe urgjencës në rastin e këtij krimi, ku mbeti i vrarë Egli Proga.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Dhe faktet janë në dosjet e të dyja institucioneve, madje Urgjenca Kombëtare i ka në një regjistër digjital minutat e sekondat e thirrjeve përkatëse, mu si një pasqyrë kokëfortë për të parë realitetin e të gjithë reagimit shtetëror dhe dallimin e tij me filmin e neveritshëm të njëjtëve sharlatanë të paudhë që maskaradat i kanë profesion në politikë e në media.

Ky ishte reagimi i dytë i kreut të qeverisë brenda 24 orëve për këtë ngjarje. Më herët Rama tha se akuza “vrasje nga pakujdesia” tingëllon e pakuptueshme dhe se e mirëkupton plotësisht indinjatën e kujtdo qe ndjehet i skandalizuar nga akuza e ngritur nga Prokuroria.

Klan News