Kriza ekonomike dhe politika e jashtme kanë dominuar përballjen e dytë mes kandidatëve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Barack Obama dhe John McCain.

Debati televiziv u karakterizua nga shkëmbime të mprehta deklaratash dhe thellim të ndryshimeve mes tyre.

Senatori që synon të bëhet presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara e portretizoi politikën e taksave të propozuar nga rivali McCain si fitimprurëse për drejtorët e pasur ekzekutivë dhe aspak në interesat e amerikanëve të thjeshtë.

Por për 72-vjeçarin republikan Obama në thelb ishte thjesht një person që dëshironte të rriste taksat për shumicën e amerikanëve, një barrë më e rëndë kjo për shtresat e mesme.

Kjo çështje dominoi agjendën e debatit dhe shumica e pyetjeve në sallë edhe nga interneti fokusoheshin pikërisht aty, madje një shtetase amerikane shtroi pyetjen nëse mund t’i besonte paratë e saj secilit prej kandidatëve duke fajësuar si republikanët ashtu edhe demokratët për krizën.

Senatori Obama shtoi se këto probleme janë gjykimi i fundit për politikat e dështuara të presidentit Xhorxh Bush që gëzuan dhe mbështetjen e senatorit McCain.

Debati u zhvillua në një mënyrë më të afërt dhe intime në hollin e bashkisë në Nashville Tenesi. Të dy kundërshtarët në këtë raund të dytë kishin mundësi të lëviznin lirshëm dhe t’i afroheshin audiencës teksa u përgjigjeshin pyetjeve.

Sulmet ndaj njëri-tjetrit nuk munguan. Konfrontimi më i madh ishte në politikën e jashtme ku Obama u përpoq të nxirrte rivalin si luftënxitës, ndërsa McCain si një person që ishte një mënyrë të rrezikshme pa eksperiencë.

Iraku ishte pika më e nxehtë ku dy kandidatët u përpoqën të vinin në dyshim gjykimin e tyre.

Debati u transmetua drejtpërdrejt edhe nga Televizioni Kombëtar Klan në studion e hapur me Sonila Meçon, ku ishte ftuar dhe opinionisti, Eduard Zaloshnja.

Sonila Meço: “Pyetja ime është e drejtpërdrejt. Sot kur pritej nga McCain ngjan si klishe që mund të ndryshonte lojën. Ia arriti McCain të bëjë kthesën e madhe?”

Eduard Zaloshnja: “Nuk mendoj se arriti. Në nivelin e pëlqyeshmërisë jam i bindur që tek votuesit e lëkundur, shtresa e mesme ai ka fituar pikë në drejtim të pëlqyeshmërisë. Po të njëjtën gjë bëri dhe Sarah Palin. Kur vjen puna për pëlqyeshmëri amerikanët në përgjithësi e pëlqyen performancën e saj, stilin e saj direkt ashtu si edhe McCain-i sot ishte shumë i drejtpërdrejt. Dukej sikur po bisedonte me teleshikuesit, me njerëzit që ishin aty, dmth, të dukej sikur po na fliste ne që e shihnim nga ekrani, por në substancë ngelet ajo që nga pikëpamja ekonomike Obama arriti në çështjet ekonomike. Obama arriti mirë që të lidhi politikën, politikat e McCain sado që ai u mundua t’i diferenconte nga Bushi, por në fakt lidhja u bë. Mendoj që Obama ia arriti këtij qëllimi”.

Fituesi i mbrëmjes ishte padyshim gazetari dhe moderatori Tom Brokaw, i cili arriti t’u nxirrte dy rivalëve përgjigje të detajuara.

Sondazhet e CNN tregojnë se debati i dytë presidencial u fitua nga Barack Obama. 54% e votuesve të pavendosur thanë se Obama ishte më bindës se rivali John McCain, i cili mori vetëm 30% të preferencave.

Një sondazh tjetër i CBS i afroi të dy rivalët, por sërish favorizohej Obama me 39% kundrejt 27 të McCain.

Opinionistët besojnë se nëse vazhdohet me këto ritme Obama është në binarët e duhur për të marrë kryesinë e Shtëpisë së Bardhë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle