Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dëbora që ka rënë në orët e para të mëngjesit në rrethin e Librazhdit, e ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve, por nuk i ka bllokuar rrugët. Në luginën e Shkumbinit, që nga Qukësi e deri në Qafë Thanë, trashësia e dëborës ka arritur deri në 40 cm.

Sapo kanë filluar reshjet e para, policia e qarkullimit rrugor, ka marrë masa në të gjithë gjatësinë e rrugës dhe janë ngritur postblloqe të lëvizshme kryesisht në aksin Urakë-Qafë Thanë. Është hedhur rreth 7 ton kripë dhe skorje për të ndihmuar shkrirjen e shpejtë të borës dhe të akullit. Megjithatë, policia rrugore u bënë thirrje drejtuesve të automjeteve, të qarkullojnë me zinxhir për të shmangur aksidentet. Vështirësi paraqesin automjetet e tonazhit të rëndë.

Rrugët më të vështira për t’u kaluar janë ato të fshatrave malorë, përreth zonës së Librazhdit. Në rrugën e Qerishtës, Qafë Malit, Sravmajë etj, bora ka arritur trashësinë në 1 metër./tvklan.al