Dekretet e presidentit për anëtarë të gjykatës së lartë mbajnë të tensionuara marrëdhëniet mes mazhorancës dhe opozitës. Një frymë që u vu re dhe një ditë më parë gjatë mbledhjes së komisionit të ligjeve, ku siç pritej raportit të miratuar ju bashkëngjitën 2 qëndrime për shkak të kundërshtimit të palëve.

Të mërkurën opozita e ka cilësuar qëndrimin e mazhorancës, kërcënim për institucionet kushtetuese, përpjekje për të kontrolluar Gjykatën e Lartë.

Vlentina Leskaj: “Natyrisht që opozita do të votojë pro dekreteve të presidentit, do të insistojë me forcë dhe do të kërkoj që dekretet të futen në procedurë, sipas rregullores së Kuvendit, të futen me votim të fshehtë. Nuk mund të të futet në kuvend raport komisioni, në kuvend do të futet dekretet e presidentit për t’i votuar. Mazhoranca nëse do t’i rrëzojë le t’i rrëzojë në kuvend.”

Pëllumb Xhufi: “Problemet që kanë të bëjnë me përmbajtjen e dekreteve e ligjeve diskutohen në Komisionin e Ligjeve edhe votohen në parlament, nuk kanë të bëjnë aspak me procedurën. Këtu ne kemi të bëjmë me një tentativë në dukje të kryetares së Kuvendit për të marrë atributet e kuvendit.”

Por Astrit Patozi, sheh tek qëndrimi i opozitës qëllime të pastra politike.

Astrit Patozi: “Mazhoranca nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë për qëllim që të cenojë pavarësinë apo sovranitetin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri. Nxitimi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste për t’i pasur sa më shpejt dekretet në sallën e Kuvendit dhe sidomos deklarimi i qartë i votës së tyre, të fshehtë në mënyrë paraprake besoj se shpjegon edhe thelbin e interesit të tyre politik.”

Një ditë më parë Komisioni i Ligjeve miratoi një raport me 2 qëndrime që do t’i përcillet seancës së Kuvendit. Ajo çfarë mbetet ende e paqartë është fakti nëse në kuvend ligjvënësi do të votojnë raportin apo dekretin e kryetarit të shtetit./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Enver Shehu