Shënohen dhe gjashtë ditë prej përfundimit të afatit ligjor 20 ditor të presidentit Bamir Topi për të nxjerrë dekretin mbi ligjin e lustracionit.

Lidhja e kryetarit të shtetit me këtë iniciativë të kthyer në ligj nga mazhoranca daton hershëm. Më së fundi në Postribë, ku në emër të qindra banorëve të persekutuar nga regjimi, i kërkoi mazhorancës të miratojë ligjin për hapjen e dosjeve.

Bamir Topi: “Ne duhet t’i shmangemi leximit të njëanshëm dhe ideologjik të historisë dhe mbulimit të saj nga pluhuri i harresës. Dënimi i krimeve të komunizmit nuk duhet të mbetet pronë e retorikës politike, por duhet të mbetet me thelbin e problemit, pra me zbardhjen e këtij krimi dhe një akt i tillë do të pastronte dhe humanizonte të tërë shoqërinë.”

E thënë kjo fjali në djepin e lëvizjes antikomuniste plot 62-vjeçare në Postribë do të thoshte shumë, jo vetëm për këta banorë, por për të gjithë ata që rreken të kërkojnë drejtësi për atë çfarë ndodhi në 45 vitet e komunizimit, një angazhim që për presidentin Bamir Topi do t’i jepte zgjidhje përfundimtare çështjes që mban peng debatin politik për më shumë se 18 vjet.

Presidenti në Shtator të vitit 2008 ia kërkoi këtë mazhorancës, pasi sikurse tha dënimi i krimeve të komunizmit nuk mund të mbetet peng i retorikës politike.

Dy muaj më vonë atëherë kur politika shënoi kulmin e debatit mbi këtë çështje vetëm pak orë nga miratimi i ligjit për lustracionin presidenti Topi përmendi sërish po aq i bindur se krimet e komunizmit duhen dënuar.

Bamir Topi: “Në rast se do të më pyetni si politikan gjithmonë kam qenë i hapur për ta parë këtë çështje sa më shpejt, në mënyrë sa më profesionale, në mënyrë sa më të gjerë, sa më komplekse dhe natyrisht që ai që kërkon të bëjë karrierë natyrisht që ka disa detyrime parësore dhe kjo në radhë të parë ka të bëjë me pastërtinë morale. Për të folur si president pastaj, si president unë flas nëpërmjet dekretit. Secila nga mediat ka arkivën e vet dhe aty do të gjeni të gjithë deklaratat e mia përsa i përket çështjes së dosjeve.”

Në memorien prej politikani të presidentit Topi shquan iniciativa e tij tre vjet më parë për të dorëzuar dhe miratuar sa më parë projektligjin për lustracionin.

Drafti i asaj kohe në thelb i njëjtë me atë që mazhoranca miratoi në kuvend në 22 Dhjetor të vitit 2008.

Në draftin e firmosur nga Bamir Topi, në atë kohë kryetar i grupit kuvendor demokrat, përfshihen gjithashtu prokurorët dhe gjyqtarët si kategori për t’iu nënshtruar procesit të lustracionit, kategori të cilat dhe përplasjen më të fortë mes mazhorancës dhe opozitës në të gjithë procesin që shoqëroi miratimin e ligjit të lustracionit.

Opozita me argumentin se kjo është një përpjekje për të ndërprerë mandatin e prokurorëve apo gjykatësve që hetojnë çështje të mëdha, ndërsa mazhoranca si përgjigje mbështet idenë se asnjë mandat nuk mund të justifikojë krimin.

Tashmë si president Bamir Topi do të flasë nëpërmjet dekretit. Duke lexuar kushtetutën nenin 84 të saj llogaritet se nga sot 9 Janar 2009 kanë mbetur edhe gjashtë ditë ligjore për të nxjerrë dekretin.

Çfarë do të thotë se presidenti ka konsumuar plot 14 ditë prej momentit kur ka marrë nën dorëzim ligjin e miratuar me 74 vota në kuvend.

Një ligj vetëm me 9 faqe për të cilin ditët që kalojnë drejt konsumimit përfundimtar të 20 ditëve afat për shpalljen e tij e bëjnë gjithnjë e më të paqartë qëndrimin e kryetarit të shtetit mbi këtë çështje.

Nuk dihet nëse Topi do të thërrasë në memorie deklarimet e tij të forta për të ndëshkuar krimet e komunizmit sikurse i kërkoi medias ta bëjë një gjë të tillë, por një gjë është e qartë.

Mazhoranca nuk do të tërhiqet prej iniciativës për ta rivotuar ligjin në kuvend në rastin të kthimit të tij me dekret presidencial.

Sali Berisha: “Kjo përbën një betejë politike. Ky kapitull mbyllet vetëm me procesin e lustracionit. Do ta votojmë që të nesërmen pa asnjë lloj hezitimi. Nuk mund të ketë, nuk ka asnjë gjë që mund të pengojë këtë vend të ndahet nga një krim”./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi