Ishin pamjet filmike të fiksuara nga kamerat e shumta në vendin e ngjarjes që ndihmuan në identifikimin e autorëve të dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi, të mërkurën në zonën e ish Bllokut në Tiranë.

Në këtë video të filmuar nga një kamera amatore, shihen 3 agresorët të veshur me të zeza dhe kapele në kokë teksa vrapojnë drejt avokatit sapo ky i fundit del nga ambintet e kopështit të djalit të tij të mitur.

Pasi e qëllojnë disa herë me grushte dhe avokati Mëngjesi bie në tokë, të tre ata largohen sërish me vrap.

E gjithë ngjarja siç duket dhe në dy videot e publikuara, ndodh brenda pak sekondave dhe në prani të kalimtarëve të rastësishëm.

Pasi janë larguar nga vendngjarja në këmbë, 3 agresorët kanë lëvizur me këtë automjet tip “Audi”, me shofer, Romario Tabakun i shpallur në kërkim nga policia.

Pamjet filmike të administruara nga grupi hetimor, si dhe zbulimi i automjetit që lëvizën autorët, ka çuar në identifikimin e tyre.

3 prej të cilëve janë ende në arrati, ndërsa Dorjan Alia si dhe organizatori i sulmit janë vënë në pranga. 

32-vjeçari, Alia i cili u vetëdorëzua në polici pak orë pas ngjarjes, është zbërthyer para oficerëve të policisë. Në deklarimet e tij ai ka pranuar se ka marrë pjesë në dhunimin e avokatit Mëngjesi. Më tej ka shtuar se sulmi ka qenë i planifikuar.

Nga ana tjetër Dritan Nano, personi që shihni në këtë foto, i dyshuar si organizator i kësaj ngjarje, ka mohuar përfshirjen.

Nga hetimet ka rezultuar se Dritan Nano nuk ka shlyer detyrimet ndaj studios ligjore të avokatit, Sokol Mëngjesi, i cili kishte përfaqësuar familjen e 58-vjeçarit në një proces gjyqësor për një pronë në Tiranë.

Duke qenë se i akuzuari si organizator nuk binte dakord për të shlyer detyrimet, ka orkestruar sulmin fizik ndaj avokatit.

Për gjendjen shëndetësore të këtij të fundit ka dhënë detaje dhe shefi i urgjencës në Spitalin e Traumës, Gjovalin Bushi.

Nga momenti i djeshëm deri sot gjendja është pothuajse është stabël, megjithatë duhet ta themi që vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, është një dëmtim i madh, në kokë.

Më tej shefi urgjencës tha se avokati ka dëmtime të shumta në kokë të cilat i kanë sjellë këto komplikacione.

Tv Klan