Deputeti demokrat Preç Zogaj rikthen në vëmendje të politikës ndërhyrjen në kodin zgjedhor. Një ndërhyrje e motivuar nga rikthimi në Kuvend i ligjit zgjedhor me dekret presidencial.

Një shans që për deputetin Zogaj nuk duhet humbur si mundësi për të zgjeruar rrethin e konsensusit prej 113 votash në Kuvend.

Në këtë pikë edhe kundërshtarët e kodit, e kanë parë këtë si mundësi për reflektim te dy forcave të mëdha. Por propozimi i deputetit demokrat orientohet direkt në grupet e numrit të votave, duke i krijuar mundësinë LSI të ketë një anëtar të sigurt.

Në kodin e ri thuhet se grupet e numërimit të votave përbëhen nga 4 anëtarë, dy prej të cilëve i takojnë partive të mëdha ndërsa dy anëtarët e tjerë zgjidhen me short nga partitë e tjera parlamentare në të djathtë dhe të majtë.  

Preç Zogaj: “Sidomos tek neni që shprehet për numëruesit mund të krijohej një hapësirë për LSI-në. Këtu bëhet fjalë pë rregulla loje, bëhet fjalë për të garantuar dhe për të paquar të gjitha palët që marrin pjesë në zgjedhje. Kemi të bëjmë me një parti e cila është e treta deri tani, askush nuk mund të thotë të kundërtën. Por kjo kërkon vullnet, do me thënë ne si PD nuk kemi qenë kundër, por nuk duam aspak që as  të bëjmë diversion tek e majta dhe as të prishim konsensusin me PS se ndryshe s’ka kod. Megjithatë kjo kërkon si vullnet, nivelin e lidershipit politik në rastin konkret PS.”

Zogaj thotë se grupet e numërimit janë e vetmja mundësi për ndryshim në kod ndërsa duhet të mbetet e njëjtë përbërja e sanksionuar për komisionet e administrimit të zgjedhjeve, në të gjitha nivelet.

Preç Zogaj: “Unë mendoj se komisionet duhen lënë siç janë në kod komisionet. Se po u prekën komisionet i gjithë ky kodi është i ndërtuar do me thënë me një lloj delikatese dhe mund të prishin shumë ekuilibra të tjera. Pra nuk është e urtë sepse do ketë reaksion nga një parti që s’do dojë të lëvizë nga vendi që i është dhënë, por kjo nuk mbaron kurrë.”

Deputeti Zogaj kërkon të theksoje faktin se propozimi i tij, që nuk duket të ketë pak mbështetës në grupin kuvendor demokrat, nuk synon politikë diversioni. Një pretendim ky i ngritur nga partia Socialiste. Produkti do të  ishte një konsensus me i madh për kodin dhe reduktim i shanseve për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve 2009. /tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi