Lajme Arkiva – TV Klan 2004

8.4 milion njerëz sot në botë sëmuren çdo vit nga tuberkulozi dhe çdo njëri prej tyre infekton 15 njerëz të tjerë, thjeshtë nëpërmjet frymëmarrjes. Ndërsa në vendin tonë çdo vit evidentohen 700 raste të reja të prekura nga sëmundja infektive vdekje prurëse.

Në Ditën Botërore të Tuberkulozit, Ministri i Shëndetësisë Leonard Solis, deklaron se në ndryshim nga shumica e vendeve të Europës Lindore, në vendin tonë shifrat nuk janë edhe aq shqetësuese. Lëvizja e pakontrolluar e njerëzve në qytetet e mëdha ka bërë që të ketë një shpërndarje të rasteve në të gjithë vendin.

“Sot ne kemi një incidencë të lartë në Kukës, kemi rreth 36 për 100 mijë banorë, kemi një incidencë të lartë në rrethin e Shkodrës dhe gjithashtu, kemi një rritje të incidencës në Tiranë dhe kjo është kryesisht e lidhur me pacientë të cilët, vijnë nga këto zona, pra nga zona verilindore dhe vendosen në rrethinat e Tiranës”.

Sipas Solisit, Ministria e Shëndetësisë ka një program të zgjeruar për luftën kundër tuberkulozit, ku përcaktohen hapat e duhura për mbajtjen nën kontroll të këtij infeksioni vdekjeprurës dhe uljen e rasteve të infektuara./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka