Në ditën e dytë të samitit të NATO-s, liderët e shteteve dhe qeverive të 28 vendeve anëtare të aleancës, u pritën në Kehl të Gjermanisë nga kancelarja Angela Merkel.

Mes liderëve pjesëmarrës ishin edhe presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha.

Parakalimi I liderëve botërorë u vonua nga kryeministri italian, Silvio Berluskoni, i cili me të zbritur nga makina kreu një telefonatë të gjatë e misterioze, që më pas u zbulua se ishte me homologun turk Erdogan.

Tema e kësaj telefonate u fokusua në kandidaturën e re të kryeministrit danez, Rasmussen, për postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, të cilën Turqia ka vendosur ta hedhë poshtë nëpërmjet vetos.

Liderët botërorë kaluan së bashku urën e Rinit që ndan Francën dhe Gjermaninë, ku u pritën nga presidenti francez, Nikolas Sarkozi.

Një shtrëngim duarsh mes Merkel dhe Sarkozi shënoi simbolikisht themelimin dhe forcimin e miqësisë mes dy vendeve dhe aleatëve të NATO-s.

Pas fotos familjare delegatët u futën në pallatin e muzikës, ku kanë marrë pjesë në punimet e këshillit të aleancës. 

Punimet nisën me vonesë për shkak të negociatave të minutës së fundit mes aleatëve dhe Turqisë në lidhje me emrin e ri të shefit të NATO-s. Edhe kryeministri Sali Berisha ishte pjesë e ekipit negociator që synonte të zgjidhte ngërçin diplomatik./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle