Fëmijët e shtruar në spitalin pediatrik “Selaudin Bekteshi” në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës janë vizituar në të parën ditë të vitit të ri nga kreu i shtetit dhe zonja e tij. Me urimin për një vit  të ri sa më të mbarë, presidenti Topi i shoqëruar edhe nga ministrja e Shëndetësisë Anila Godo është interesuar për shëndetin e fëmijëve të shtruar në këtë qendër, si dhe u ka premtuar prindërve të të miturve mbështetjen e tij maksimale si dhe atë të personelit mjekësor që kujdeset për këta të mitur.

Kreu i shtetit së bashku me zonjën e parë, Teuta Topi  ndaloi në mënyrë të veçantë në dhomën e një djali 13 vjeçar nga Kosova të aksidentuar, ku u interesuar për gjendjen e tij shëndetësore dhe i uroi këtij të fundit shërim të shpejtë. Më tej presidenti Topi vizitoi dhe repartin e terapisë intensive ku u njoh me gjendjen shëndetësore të të shtruarve, si dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë personalin mjekësor.

Bamir Topi: “I uroj të gjithë fëm9ojët që kanë qenë dhe e kanë kaluar natën e Vitit të Ri në spital të dalin nga ky ambient dhe të fitojnë ritmin e jetës, sikurse është festa tradicionale, po aq tradicionale është edhe përkushtimi, vetëmohimi i mjekëve, i infermierëve, i të gjithë punonjësve që shërbejnë nëpër këto struktura dhe kam rastin të shikoj dhe një rigjallërim të këtyre strukturave në mënyrë që gradualisht të katin edhe një herë ritmin e dëshiruar nga të gjithë për një sistem shëndetësie të shëndoshë që do jetë në shërbim të qytetarëve.”

Një urim i veçantë për kreun e shtetit ishte dhe ai për një vit të mbarë e të begatë për Shqipërinë e cila sipas tij do t’i afrohet më shumë standardeve integruese./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

Operator: Metlin Kepi