Dritan Dajti do të duhet të vuaj dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e katër efektivëve të policisë ngjarje e ndodhur në gusht të 2009-ës. Gjykata e Lartë vendosi këtë të martë të prishë vendimin e Apelit për Krime të Rënda dhënë në Shkurt të 2019, që teksa la në fuqi fajësinë e Dajtit si autor i vrasjes së katërfishtë, i pranoi atij gjykimin e shkurtuar, duke e ulur dënimin në 25 vite burg.

Treshja e gjyqtarëve të lartë e konsideroi të pabazuar në ligj vendimin e Apelit dhe argumentet për pranimin e gjykimit të shkurtuar dhe la në fuqi dënimin e dhënë në korrik të 2014 për të, rrjedhimisht masën e dënimit burg të përjetshëm.

Më herët Dritan Dajti kishte kërkuar përjashtimin nga trupa gjyqësore në Gjykatë të Lartë të 2 gjyqtarëve, kërkesë që u pranua vetëm për njërin prej tyre, Medi Bicin, i cili u zëvendësua.

Referuar hetimeve, Dritan Dajti qëlloi për vdekje punonjësit e policisë Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, gjatë një operacioni për arrestimin e tij zhvilluar më 7 gusht të vitit 2009.

Tv Klan