Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të premten se ka biseduar me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe për situatën në rajon.

Vuçiç shkroi në llogarinë e tij në Instagram se ka pasur një bisedë “të hapur dhe të drejtpërdrejtë” me Sarrazin për “marrëveshjet e pazbatuar” nga dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, “në radhë të parë, ato që kanë të bëjnë me sigurinë e serbëve në Kosovë, posaçërisht themelimin e Asociacionit me shumicë serbe”.

“Përsërita se Gjermania dhe komuniteti ndërkombëtar në Serbi kanë një partner të besueshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, forcimin e bashkëpunimit dhe prosperitetit rajonal. Por, mbrojtja e interesave kombëtare të shtetit dhe popullit serb do të jetë gjithmonë prioriteti ynë”, tha Vuçiç.

Një ditë më herët, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, e ritheksoi qëndrimin e Gjermanisë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia më 2023 arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më vonë ajo u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe kjo ka mbetur kryesisht e pazbatuar.

“Sa për ta rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të kancelarit Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe në Serbi në qershor 2022, për normalizimin, përfshirë njohjen dypalëshe”, shkroi Rohde në rrjetin social X të enjten vonë.

Ai tha se “kjo vlen ende”, duke shtuar se rruga është tashmë e hapur për Kosovën dhe Serbinë përmes zbatimit “të menjëhershëm” të marrëveshjeve të arritura më 2023 për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Deklarata e tij erdhi pak pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë për edicionin e 13 qershorit të së përjavshmes NIN nga Beogradi, tha se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE).

Të enjten më herët, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën.

Ato arritën marrëveshje edhe për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik./REL