Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ne nuk bëjmë premtime fantastiko-shkencore, ne i premtojmë elektoratit tonë vetëm projekte të realizueshme. Në mitingun elektoral të radhës, që zhvilloi pasdite në njësinë bashkiake nr.1, ku kandidon për kryetare Anita Zaimi, kandidati socialist për bashkinë e Tiranës, i ka kërkuar votuesve votën e tyre, për një të ardhme të qytetit që nuk do t’i zhgënjejë.

Edi Rama:- “Se 12 Tetori nuk është dita e abstenimit, sepse nuk është dita e zgjedhjeve të mëdha politike për parlamentin, e për politikën ndërkombëtare, por është dita për të pasur më shumë rrugë, për të pasur më shumë gjelbërim, për të pasur më shumë ndriçim publik, terrene sportive e kështu me radhë dhe në këtë ditë nuk mund të ketë ndarje partiake. Në këtë ditë duhet të ketë vetëm një bashkim zemrash, një bashkim zemrash rreth një ideali, që tashmë ka lindur në këtë qytet, që është ideali i Tiranës europiane. Ne nuk i kemi hapur plagë qytetit, ne i kemi mbyllur plagët qytetit, ne e kemi kuruar qytetin”.

Po në njësinë nr.1, Edi Rama ka marrë pjesë sot në inaugurimin e rrugës së Shkozës, si dhe ka zhvilluar një takim me banorët e zonës së “Ali Demit”, si dhe me disa dhjetëra punonjës të fabrikës së këpucëve./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka