Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Nëpër rrugët e Tiranës, nuk do të shohim më shtylla betoni të energjisë elektrike. KESH ka vendosur në dispozicion të bashkisë së Tiranës, rreth 900 milion euro për futjen e të gjithë kabllove dhe telave të energjisë elektrike nëntokë.

Sipas drejtorit të KESH-it dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës, ky bashkëpunim mes dy institucioneve, do t’i japë zgjidhje problemeve të krijuara herë pas here pas rikonstruktimit të rrugëve, kur KESH ka qenë i detyruar të çajë rrugët e reja për të shtrirë telat e energjisë elektrike.

Andis Harasani: “Gjithë ato kabllo, gjithë ato tela që vareshin, të kthehen në sistem evropian, të futen të gjitha nën tokë, një nga arsyet kryesore është që të mos ndodh ajo që ka ndodhur më përpara, që bashkia bënte rrugët, që pastaj shkonim ne i prishnim, pastaj shkonte bashkia prishte kabllot.”

Edi Rama: “Për ne si bashki është një mbështetje dhe një angazhim shumë i posaçëm, ky që merr sot korporata dhe shpresojmë që në këtë vijë të kemi dhe angazhimin dhe mbështetjen e Albtelecomit, pastaj ne me Albtelecomin kemi gjetur zgjidhjen e sëpatës, gjë që s’mund ta bëjmë me KESH-in, jo vetëm që shtyllat janë prej betoni, por edhe sepse këputja e telave me sëpatë është e rrezikshme.”/tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka