Njësitë vendore kërkojnë të kenë në dorë kontrollin mbi territorin, në asamblenë e Shoqatës së Bashkive  të Shqipërisë kryebashkiaku  i Tiranës Edi Rama ka kërkuar që shumë shpejt kontrolli mbi territorin të kalojë mbi kompetencat e pushtetit lokal në mënyrë që të ndalohet ky zhvillim kaotik që po pengon zhvillimin urban të vendit.

Edi Rama: “Kryeqyteti që ne kemi në dosjet e urbanistikës është tjetër  nga kryeqyteti  që zhvillohet në realitet për sa i takon ndërtimeve specifike de për fat të  keq ajo çka ndodh në realitet është rëndom ndërtime që dalin nga përmasat e lejes, që  zgjerohen anas që rriten lart, duke ndryshuar kështu parametrat e vetë lejes. Pavarësisht punës së lavdërueshme dhe shumë voluminoze të policisë ndërtimore, ne jemi të bindur se nuk është kjo  rruga e kontrollit mbi territorin, por është decentralizimi i kësaj ministrie”.

Një arsye tjetër  që kontrolli sipas Ramës duhet të kalojë sa më shpejtë në kompetencat  e njësive vendore është edhe kontrolli i cilësisë së qindra ndërtimeve  të reja, duke shmangur ndonjë tragjedi.

Edi Rama: “Për problemin e cilësisë së ndërtimeve, ne jemi krejtësisht  të zbuluar  dhe nëse nuk duam të jemi dëshmitarë të skenave që shohim  nga ekrani i televizorit dhe që vijnë nga Kajro  apo nga Stambolli duhet me shpejtësi të bëhemi të vetëdijshme për një kontroll të domosdoshëm mbi cilësinë e ndërtimit”.

Edhe një herë kreu i Shoqatës së Bashkive ka kërkuar të mos miratohet  nga parlamenti ligji për legalizimin  e shtesave të ndërtimeve të reja, kundrejt një gjobe prej 4% nga vlera e shtesës. Rama  ka kërkuar që shuma që do të paguajnë ndërtuesit do  të jetë më e madhe dhe kjo do të shkojë për mirëmbajtjen  e infrastrukturës së qyteteve./tvklan.al