Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka prezantuar programin e ri qeverisës të socialistëve për zhvillimin rural në vend, në komunën Grecalli të qarkut Fier. Rama foli në detaje mbi atë se çfarë do të ndryshojë në fshat me këtë program të ri.

Edi Rama: “Gjëja e parë të cilën do të bëjmë është do të ndërtojmë një strukturë tërësisht të re, një ministri të veçantë për fshatin që do të quhet ministria e zhvillimit rural dhe që do të adresojë problemin e madh të rimëkëmbjes së fshatit duke e parë si një potencial jo vetëm të jashtëzakonshëm, por edhe tërësisht të pashfrytëzuar.”

Duke folur për politikat në favor të bizneseve të reja agro-industriale Rama lëshoi një tjetër pikë të fortë të programit të socialistëve për zhvillimin rural. Ku u premtoi të gjithë fermerëve se ashtu siç është bërë në këto dy vjet në dialogun me Shqipërinë edhe nesër socialistët do qeverisin bashkë me qytetarët në mbarë vendin.

Edi Rama: “Bizneset agrare të reja ne do ti përjashtojmë nga çdo tatim fitimi dhe çdo taksë në 3 vitet e para. Nuk do ta qeverisim fshatin nga kutia e televizorit, nuk do ta qeverisim fshatin nga salla e parlamentit, nuk do ta qeverisim fshatin me fjalime me gënjeshtra, do e qeverisim fshatin bashkë këtu duke bërë të mundura gjëra që sot duken padrejtësisht të pamundura.”

Rama tha se programi qeverisës i PS-së nuk është një mal me premtime të pa mbajtura, por një instrument i detajuar për të qeverisur të nesërmen e fitores më 29 qershor./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle