Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Tre vajza të veshura me kostum popullor kanë prirë sot Edi Ramën, në takimin me banorët e njësisë 7 të kryeqytetit. Pas momenteve të bukura të valleve popullore, si zakonisht ka folur Musa Ulqini, si përfaqësues i PS të kryeqytetit, i cili më pas ia ka dhënë fjalën kandidatit socialist për minibashkinë e njësisë 7 Jahe Fila. Mes brohoritjesh ka folur më pas dhe kandidati për kryetar bashkie të Tiranës Edi Rama.

Edi Rama:- “Më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në këtë sallë ku kam kaluar disa nga çastet më të bukura të fëmijërisë time, me Herkulin, Uliksin, Semiramidën e Babilonisë apo Cucën e Maleve”.

“Ajo që banorët e Tiranës kërkojnë sot është një pushtet vendor që të përmirësojë gradualisht jetën dhe të zbus plagët e vjetra të kryeqytetit”, tha Rama.

Edi Rama:- “Tirana që unë dua, Tirana që ne duam është kryeqyteti europian, ku hendeku mes partive politike nuk ekziston mes njerëzve të thjeshtë. Kurse Tirana që do kundërshtari im është qyteti që duhet t’i nënshtrohet thirrjes “o me ne, o me ata”.

Prandaj ka ardhur koha që të mos votohet më për besnikët e partisë, por për njerëzit e punës. Programi im është programi juaj, tha Rama, ndaj më 1 Tetor ju nuk do të votoni për drejtorin e dyerve të ambasadave, por për kryetarin e bashkisë. Pas takimit në kinema Dajti, Rama ka ecur në këmbë duke takuar kalimtarët e rrugës “Myslym Shyri”./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj