Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Festivali Ndërkombëtar Teatror “Butrinti 2000”, prej një jave po zhvillohet me mjaft interes në teatrin antik të qytetit të Butrintit. Ky festival i cili mbart vlera të pa krahasueshme teatrore të cilat përcillen nga emra shumë të njohur të teatrit botëror, ka krijuar një traditë tashmë në vitin jubilarë të zhvillimit të tij.

Trupa teatrore nga Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Italia, Holanda, Suedia, Polonia etj, kanë performuar në skenën e Butrintit, duke i dhënë jetë edhe vlerave të mëdha kulturore që ka ky park kombëtar.

Kryeministri Nano gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Sarandës, i shoqëruar edhe nga Ministri i Kulturës Blendi Klosi është takuar me një përfaqësi të artistëve shqiptarë dhe të huaj, pjesëmarrës në këtë aktivitet. Ai i ka përgëzuar artistët për performancat e tyre. Ndërkohë që nga ana e tyre artistët e huaj kanë vlerësuar bukurinë e teatrit antik dhe organizatorët, për këtë festival të veçantë në llojin e tij. “Butrinti 2000” zhvillohet për të 5-tin vit radhazi me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

Blendi Klosi: “S’duhet të harrojmë që festivalet organizohet në një nga objektet që ne kemi më përfaqësuese të kulturës dhe trashëgimisë kulturore, në qytetin antik të Butrintit dhe prandaj ministria ndihet e detyruar që të mbështesi realizimin e këtij festivali, natyrisht duke parë mundësitë e këtij transformimi të këtij festivali në një institucion të përhershëm”./tvklan.al

Gazetare: Fjodora Fjora