Konferenca e donatorëve për Kosovën e mbajtur të premten në Bruksel, ka rritur thesarin e varfër të Kosovës për 1.200 milion euro. Kjo shumë e donacioneve është paraparë që të ndihmojë Kosovën në disa drejtime. Ekspertët e ekonomisë e vlerësojnë si të mirëpritur dhe shumë të nevojshme këtë ndihmë, mirëpo sipas tyre kjo nuk do të vërehet menjëherë.

Mimoza Kusari-Lika: “Rrjedhimisht ballafaqohemi me faktin se për zbutjen e varfërisë dmth nuk do të jenë ato që do të ndikojnë menjëherë. Do duhet kohë të paktën 2 ose 3 vite dhe do të varet nga institucionet e Kosovës se në çfarë forme do t’i menaxhojnë dhe cilat janë prioritetet që ata do t’i paraqesin shpenzimin e këtyre mjeteve”.

Driton Tali: “Në situatën çfarë jemi në çdo sferë të ekonomisë që të investohet është e mirë se ardhur. Kemi parasysh se bujqësinë e kemi në nivel shumë të ulët sikurse që e kemi dhe infrastrukturën tejet të dobët, kudo që të investohen investime ka petale e janë të mirëseardhur”.

Prioritetet më të nevojshme që do duhen të dedikohen këto mjete sipas eksperteve janë përmirësimi i gjendjes ekonomike si në fushën e bujqësisë, infrastrukturës dhe investimeve kapitale. Qytetarët e Kosovës e kanë pritur me mjaft optimizëm lajmin nga konferenca e donatorëve. Ata janë optimist se shumë prej 1.200 milion euro, do ta zbusë sado pak gjendjen e rëndë ekonomike në Kosovë.

“Me siguri se do të zbutet pak kjo papunësi, kjo varfëri dhe ekonomia do të ngjallet pak”.

“Është një bazë e mirë për me fillu, po mendoj për ekonominë në përgjithësi apo për varfëri, varfëria është shumë e madhe. Ndikimi të shohim”.

“Me mujtë ku punësohet rinia naj fabrikë, naj vend ku ka punë për rininë se rrugë e shkolla po bohen po kur po mbarohen”.

Një pjesë e këtij donacioni sipas Mimoza Kusarit-Lila është paraparë edhe me planin Ahtisarit për statusin e Kosovës, ku shuma të caktuara do të dedikohen si në procesin e decentralizimit e të tjera. Krerët e institucioneve të Kosovës e kanë mirëpritur dhe e kanë falënderuar bashkësinë ndërkombëtare për këtë ndihmë duke e vlerësuar si vazhdimësi e kontributit për Kosovën./tvklan.al