Shtypi shqiptar dhe ai grek dje dhe sot kanë përcjellë lajmin se është akorduar një shtyrje afati 4 mujore pra deri në muajin tetor për dorëzimin e kërkesave për rinovimin e lejeve të qëndrimit të emigrantëve në tokën helene por qeveria greke me anë të ministrit të brendshëm Kostas Skandalidis e ka përgënjeshtruar një lajm të tillë.

Skandalidis me anë të një deklarate për shtyp dal nga Ministria e Brendshme greke të martën në mbrëmje ka njoftuar se edhe emigrantët që i kanë dorëzuar prej kohësh dokumentet dhe ndodhen në pritje të lejes nuk kanë të drejtë të udhëtojnë jashtë Greqisë.

Ministri grek ka deklaruar se deri në datën 30 tetor emigrantët nuk do të dalin nga territori grek duke e paguar këtë si një kosto përderisa nuk kanë qenë në rregull me detyrimet e tyre ndaj shtetit grek. Ndërkohë qeveria shqiptare nuk është shqetësuar për këtë lajm. Ministri i Rendit Pubik Luan Rama i pyetur nga ne ka bërë të pa diturin, duke thënë se nuk ishte në dijeni për këtë problem.

Ndërkaq edhe ambasada greke në Tiranë nuk ka dhënë asnjë prononcim lidhur me këtë lajm. Deklarata e ministrit të brendshëm grek bëhet pikërisht në një periudhë kur emigrantët shqiptarë kthehen në Shqipëri për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre./tvklan.al