Alvaro Morata ka shkaktuar një stuhi në kampin spanjoll pasi kërcënoi se do të tërhiqej nga kombëtarja në përfundim të turneut për shkak të kritikave të pakuptimta.

Lojtari, i cili ka mbajtur shiritin e kapitenit në Euro 2024 ka thënë më herët se për të do të ishte më e lehtë të largohej jashtë për shkak të trajtimit të keq ndaj tij, si edhe efektit jo të mirë që kjo situatë ka shkaktuar te bashkëshortja dhe 4 fëmijët e tij.

Ai ka lënë të nënkuptohet se është gati të largohet edhe nga Atletiko Madridi vetëm një javë pasi u zotua se do t’i qëndrtonte besnik klubit bardhekuq, pasi sipas tij në Spanjë nuk ka respekt për askënd.

Një intervistë e dhënë nga sulmuesi për spanjollen “El Mundo” ka shkaktuar tërmet në përfaqësuese.

“Mund të jetë turneu im i fundit me Spanjën. Është një alernativë që unë nuk dua të flas shumë, por ka të ngjarë. Në Spanjë është e vështirë për mua të jem i lumtur. Padyshim, jam më i lumtur jashtë Spanjës. E kam thënë këtë shumë herë! Mbi të gjitha sepse njerëzit më respektojnë mua! Në Spanjë nuk ka respekt për asgjë tashmë!”

Sulmuesi, i cili ka luajtur më herët për Real Madrid, Juventus dhe Chelsea para se të bashkohej me Atleticon në 2019, ka pasur një marrëdhënie të tensionuar me tifozët spanjollë.

Ai ishte fishkëllyer gjatë Euro 2020 dhe po ashtu edhe në miqësoren kundër Brazilit në Bernabeu në Mars. Sulmuesi 31-vjeçar do të jetë i disponueshëm për trajnerin Luis de la Fuente në sfidën kundër Francës.

Klan News