Votuesit holandezë ishin të parët që hapën siparin e votimit katër-ditor për parlamentin e ri evropian me 720 eurodeputetë zgjedhje që deri të dielën do të përfshijnë të 27 shtetet anëtare me 373 milionë votues të rregjistruar me të drejtë vote.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve, do të kenë ndikim të madh në drejtimin politik të BE-së sidomos në çështje si imigracioni pas paktit italo-shqiptar për të dërguar azilkërkues në vende të botës së tretë.

Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë e presidentes së komisionit, Ursula von der Leyen, pritet të mbetet grupi i vetëm më i madh edhe në mandatin e ardhshëm 5-vjeçar në parlamentin e ri evropian, e ndjekur nga socialistët dhe demokratët e qendrës së majtë (S&D) dhe liberalët.

Sondazhet parashikojnë rritje në numra eurodeputetësh për partitë populiste dhe të ekstremit të djathtë, të cilat mund të rrisin ndjeshëm ndikimin e tyre, por pa peshë në vendimarrjen e BE-së në tërësi.

Kreu i ekstremistëve hollandezë Wilders u tha mbështetësve të tij se këto zgjedhje kishin rëndësi në lidhje me masat për luftën ndaj numrave në rritje të azilkërkuesve dhe mbrojtjen e sovranitetit kombëtar.

Deklaratat e tij shënuan një largim nga retorika e tij e zakonshme anti-BE dhe për largim të Hollandës nga kjo organizatë. Ai mbështet formimin e një supergrupi të ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian me Giorgia Meloni Marine Le Pen dhe Matteo Salvinin.

Votimi për zgjedhjet evropiane do të vijoje deri të dielën, megjithëse Estonia i ka lejuar qytetarët që të votojnë deri të hënën. Qendrat e votimit hapen të premten në Irlandë, të shtunën në Letoni, Sllovaki dhe Itali dhe në shtetet e tjera anëtare të BE-së të dielën.

Klan News