Gazeta britanike rekomandon muajt kur duhet vizituar dhe destinacionet më të bukura të vendit tonë

Stina e verës është koha kur mendojmë për pushimet e shumëpritura dhe ne shpesh kemi pikëpyetje lidhur me destinacionet.

Për t’ju ardhur në ndihmë lexuesve të saj gazeta britanike ‘Express’ vjen me disa sugjerime jo vetëm për kohën kur duhet udhëtuar, por edhe vendet më të mira.

Për të përditshmen britanike pranvera është koha e përkryer për të kaluar pushimet në “Maldivet e Evropës” duke nënkuptuar në këtë mënyrë vendin tonë që vjen si alternativë e përballueshme kundrejt destinacioneve si Spanja dhe Franca.

Muaji nëntor është koha më e lirë për të fluturuar në Shqipëri, por britanikët mund të gjejnë gjithashtu çmime të favorshme dhe në qershor dhe shtator dhe përveç kësaj moti është mjaft i ngrohtë. Korriku dhe Gushti janë muajt më të shtrenjtë për të udhëtuar drejt Shqipërisë.

Sa i përket plazheve më të mira e përditshmja britanike e nis me Durrësi që është një orë e gjysmë me makinë nga Tirana. Plazhet janë pak të populluara nga turistët, kështu që Vlora është një opsion më i mirë për turistët që duan më shumë qetësinë. Midis Vlorës dhe Sarandës, turistët do të gjejnë Himarën, në të cilën ndodhen disa prej plazheve më të bukura të vendit duke përfshirë plazhin e Dhërmiut dhe plazhin e Gjipesë.

Rekomandon qytetin e Sarandës, një qytet turistik me shumë bare dhe restorante. Afër këtij destinacioni ndodhet Ksamili i cili është cilësuar si ‘Maldivet e Evropës’ për shkak të ujrave të kristaltë dhe plazheve me rërë që e kanë kthyer atë në një destinacion mjaft popullor në mesin e turistëve të huaj.

Klan News