Pretendenti i fronit shqiptar, Leka Zogu I, kishte paralajmëruar takime me të gjithë krerët institucional të Kosovës, por të hënën ai u prit vetëm nga presidenti Fatmir Sejdiu. Takimi me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi nuk u realizua me arsyetimin se ai ndodhej jashtë vendit ndërsa sa i përket dështimit të takimit me kryeministrin Hashim Thaçi, Princi Leka Zogu II tha se i vjen shumë keq për këtë.

 Princ Leka Zogu II: “Më vjen shumë keq që në këtë aspekt kryeministri nuk ka zbatuar dëshirën e të gjithë kryesinë e tij të mos takojë lartmadhërinë e tij, Mbretin Leka, por shpresoj që agjenda e tij mund të ndryshojë.”

Agjenda e familjes mbretërore do të vazhdojë me vizitë në shtëpinë e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por Leka Zogu I, për arsye shëndetësore mungoi në këtë takim. Ramush Haradinaj, tha se ndihet i nderuar që është mikpritës i familjes mbretërore. Ai nuk harroi të japë edhe një koment mbi dështimin e takimit midis Leka Zogut dhe kryeministrit Thaçi.

Ramush Haradinaj: “Kryeministri Thaçi, mund të ketë analiza të tjera, vlerësim tjetër, nuk di si ta shpjegoj.”

Me këto vërejtje nuk u pajtua zëdhënësi i qeverisë Memli Krasniqi, ai tha se nuk ka pasur dështim të takimit. Sipas tij përfaqësuesit e familjes mbretërore janë lajmëruar që takimi do të mbahet nesër.

Të martën, Leka Zogu I do të vazhdojë vizitën e tij në familjen e Hysen Terpezës, ndërkaq nga kuvendi komunal i Vitisë do të shpallet qytetar nderi./tvklan.al