Prishtina vazhdon të përballet me betejën më  të rëndë të saj që prej miratimit të deklaratës së pavarësisë më 17 shkurt. Përfaqësuesit e vendeve të Kuintit po ushtrojnë trysni mbi lidershipin e Prishtinës për të pranuar 6 pika të propozuara nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon për vendosjen e misionit të EULEX-it.

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës përkundër këtyre presioneve vazhdojnë të mbesin në pozicionin e njëjtë, për të mospranuar këtë plan të bindur se implementimi i tij cenon sovranitetin e republikës. Në një deklaratë për media presidenti Fatmir Sejdiu, tha sot se Prishtina dëshiron shtrirjen e EULEX-it, mirëpo jo në mënyrën siç e ka paraparë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, ngjashëm u shpreh edhe kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e rregullt të qeverisë së Kosovës.

Hashim Thaçi:Idetë, sugjerimet dhe versionet që ne kemi prezantuar kanë qenë hezituese për të tjerët, por ka qenë një debat  dhe negociatë shumë korrekte, prandaj unë dua t’i besoj gjetjes se një zgjidhje të drejtë, të pranueshme, të implementueshme në Kosovë. Por dua të theksoj se mospranimi i këtyre 6 pikave në formë dhe përmbajtjen aktuale që janë nuk e cenojnë integritetin territorial të Kosovës. Kosova është shtet, ndërsa pranimi në formën aktuale e cenon tërësinë territoriale të republikës sonë.”

Në fund të javës që shkoi Ban Ki Moon propozoi një plan 6 pikësh për vendosjen e misionit të EULEX-it në Kosovë. Në këtë plan ai parasheh që të krijohet një polici etnike serbe e ndarë nga zinxhir komandues i policisë së Kosovës. Zgjidhje të ngjashme jep edhe për funksionimin e doganave derisa kërkon që EULEX-i të jetë neutral ndaj statusit dhe të mos bazohet në planin e Marti Ahtisait. Udhëheqja politike e vendit ashtu sikurse dhe partitë opozitare dhe shoqëria civile janë të vendosur që ky plan si i tillë është i dëmshëm për vendin./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki