Lajme Arkiva 2003

Pas deklaratave kritike të disa zyrtarëve të parlamentit evropian në lidhje me procesin zgjedhor, Partia Socialiste reagon përsëri duke thënë se këto zgjedhje nuk mund të krahasohen me ato të mëparshmet.

Fatmir Xhafaj: Këto zgjedhje kemi një kod zgjedhor të miratuar me konsensus nga të gjitha palët, kemi klima krejt të ndryshme politike, kemi një angazhim permanent të mazhorancës nëpërmjet forcës politike të Partisë socialiste, qeverisë së dalë nga kjo mazhorancë dhe strukturave të tjera përfaqësuese të cilat në vazhdimësi kanë qenë dhe mbeten të angazhuara për një proces të lirë zgjedhor dhe transparent.

Në takimin e djeshëm me kryetaret e degëve të Partisë Socialiste në rrethe, sekretari i përgjithshëm Gramoz Ruçi, paralajmëroi se do të largohen nga partia të gjithë ata që nuk do të zbatojnë kodin elektoral. I pyetur nëse është vërejtur ndonjë rast i shkeljes së kodit nga komisionerët socialistë, deputeti Fatmir Xhafaj përgjigjet:

Fatmir Xhafaj: Ne do të dëshironim që edhe Partia Demokratike të shfaqte në mënyrë publike një pretendim ose një kërkesë të tillë ndaj simpatizantëve dhe përfaqësuesve të saj në komisionet zgjedhore sepse ne nga këqyrja e deri tanishme e procesit konstatojmë që jo vetëm që nuk ka një angazhim  të tillë publik të partisë demokratikë por vërejmë se nga shumë përfaqësues të saj në disa Komisione Zgjedhore të qeverisjes vendore ka bllokim të procesit./tvklan.al