Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Gazetari: Kryeministri dhe kryetari i socialistëve Fatos Nano, ka pranuar mosrespektimin e statutit të partisë së tij, për përjashtimin e përkrahësve të ish-kryeministrit Ilir Meta gjatë votimit të kundër projektligjeve të qeverisë në parlament.

Fatos Nano: “Ju do të thoni, a do përjashtoni, apo do vazhdoni të mos përjashtoni? Unë po them, që mospërjashtimi nuk është hezitim për të mos zbatuar statutin, sepse dispozitat e statutit janë automatike, pra varet nga individi, që ta konsumojë efektin e tyre apo jo. Ndërkaq, vullneti im politik dhe për fat të mirë dhe me mbështetjen e zotit edhe i institucioneve drejtuese të PS është që ta nxisë mospërjashtimin, si një ftesë të hapur për secilin nga përfaqësuesit tanë në legjislativ, për reflektim, për bashkëveprim dhe për bashkëpunim politik në funksion të stabilitetit të mazhorancës qeverisëse dhe të vazhdimit të punës së saj dhe të institucioneve të krijuara nga mazhoranca. Nuk kemi asnjë fuqi, për të ndaluar ata që duan të vetëpërjashtohn, apo të vrasin veten”.

Gazetari: Në konferencën për shtyp, gjithashtu zoti Nano i ka quajtur spekulime të medias lajmet për ndryshimin e protokollit të shtetit, që kanë të bëjnë me bashkëshorten e tij Xhoana. Zoti Nano ka deklaruar gjithashtu, që ka depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, si dhe në gjykatë dy padi penale ndaj deputetit Lesi, i cili ka kritikuar kohët e fundit qeverinë aktuale në median e tij.

Fatos Nano: “Ndërkaq, kryeministri është person publik, familja e tij nuk është person publik, bashkëshortja ime është një person jo publik. Në qoftë se ceremoniali i shtetit i jep disa privilegje, nuk i jep kualifikimin, pra ju lutem mos e quani zonja e parë e vendit. Këtë e kam edhe për zotin Lesi dhe deputetë me imunitet. Personat publik, kur ju dhunohet për shkak të detyrës integriteti, morali, dinjiteti dhe nderi, me fyerje dhe shpifje, i drejtohen ligjit dhe unë do të vazhdojë t’i drejtohem ligjit, jo vetëm me padi civile, por dhe me padi penale, për Nikollë Lesin. Bashkëshortja ime do vazhdojë t’i drejtohet ligjit, si person jo publik, me padi civile dhe penale, të cilat për një deputet depozitohen në Gjykatën e Lartë dhe sot janë depozituar dy të tilla, një nga unë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe një në Gjykatën e Lartë për të edukuar qytetarët, opinionin publik, deputetët dhe botuesit, që të mos dhunojnë nderin, me shpifje dhe fyerje të personave publik dhe të familjeve të tyre”.

Kryeministri Fatos Nano i bëri këto deklarata gjatë përurimit të ambienteve të reja për gazetarët në selinë e qeverisë. Nano tha, se do të mbronte interesat e gazetarëve, të cilëve nuk u paguhen sigurimet shoqërore ndërsa bosët e tyre nuk paguajnë detyrimet nuk paguajnë detyrimet fiskale ndaj shtetit. Nano ftoi opozitën, për të realizuar së bashku standardet që kërkon BE./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame