Lajme Arkiva 2003

Kryeministri Fatos Nano ashtu siç kishte paralajmëruar është takuar me kreun e shtetit Alfred Moisiu në presidencë në praninë e kryetarit të kuvendit Servet Pëllumbi. Takimi ka zgjatur rreth dy orë dhe në të mendohet se është folur rreth dy vendeve ministrore të mbetura bosh në qeveri.

Në qendër të takimit trepalësh ka qenë kriza qeveritare, pas rrëzimit të tre dekreteve të presidentit nga parlamenti. Sipas qëndrimit të tre institucioneve pjesëmarrëse në takim Moisiu, Nano dhe Pëllumbi shprehën shqetësimin dhe vullnetin e përbashkët për të gjetur një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën.

Duke folur për përpjekjet institucionale u theksua mendimi se institucionet shtetërore përfshirë edhe opozitën duhet të kryejnë detyrën e tyre në funksion të integrimit të vendit dhe të sigurisë.

Pak kohë më parë kryeministri Nano pati zhvilluar një tjetër takim me presidentit pas të cilit u tha se ministrat e dekretuar mund të merrnin detyrën pavarësisht shqyrtimit në parlament. Pas kësaj dhe deri më tani Moisiu ka qenë në qendër të kritikave të opozitës  për mefshtësinë e tij në zgjidhjen e krizës./tvklan.al