Lajme Arkiva 2003

Dëshira e lindur duke parë yjet hollivudian në ekranet e televizionit i ka shtyrë një grup fëmijësh të regjistrohen pranë qendrës kinematografike “Sirea Film”. Pranë kësaj qendre vogëlushët trajnohen në mënyrë profesionale dhe mësojnë se si duhet të sillen për të bërë një ditë personazhe të njohur në fushën e filmit, spektaklet apo të televizionit shqiptar.

Vajza: Më pëlqejnë aktorët që shikoj në televizor. Kamerat mënyra se si ata veprojnë, çdo gjë që ka lidhje me ata.

Gazetarja: Kush është aktori jot i preferuar ose që ke dëshirë ti ngjash.

Vajza: Mua më pëlqen shumë Xhulia Roberts, por për mua të gjithë janë të mirë, të gjithë e luajnë mirë pjesën e tyre.

Djali: Si Leonardo di Caprio, më pëlqen sepse ai e luan shumë mirë dhe më pëlqen ti ngjaj atij.

Vajza: Më pëlqen çdo gjë. Çdo gjë është fantastike dhe nuk e di si do të ndahem kur të mbaroj kursi.

Gazetarja: Çfarë ke qejf të bëhesh ti aktore?

Vajza: Aktore dhe violiniste.

Trajnimi konsiston jo vetëm në ushtrimet brenda studiove por edhe në njohjen nga afër të ambienteve televizive, për të parë se si funksionon bota e magjishme e ekranit. Të shoqëruar edhe nga regjisori Leonard Bombaj, i cili e drejton këtë qendër, ata kanë vizituar ambientet e televizionit kombëtar Klan.

Ku janë njohur nga afër edhe me studiot dhe mënyrën se si funksionon ambienti televiziv. Studiot qendrore të televizionit kombëtar Klan kanë qenë në qendër të vëmendjes së fëmijëve, të cilët një ditë dëshirojnë të bëhen personazhe në to.

Gjithsesi sipas drejtuesve të kësaj qendre, këta fëmijë trajnohen për të qenë një element i gatshëm për të gjithë ata regjisorë shqiptarë të cilët kanë nevojë për karaktere fëmijësh brenda filmave të tyre, apo spektakleve që ata realizojnë.

Esmeralda Bombaj: Mbi të gjitha ne kemi karaktere të llojeve nga më të ndryshëm. Mua më pëlqen shumë duke filluar që nga portretet , improvizimet nganjëherë janë befasuese. Domethënë pikërisht edhe synimi i këtij kursi do të jetë drejt një agjencie aktorësh të vegjël dhe të rritur që të kemi mundësinë që të mos kërkojmë më nëpër shkolla, por që ti kemi të gatshëm. Pak a shumë ne po synojmë të ndërtojmë një kontingjent gjysmë të gatshëm për kinemanë, spektaklin dhe televizionet shqiptare. /tvklan.al