Zv/Ministri i brendshëm, Ferdinand Poni, ka garantuar delegacionin e misionit të vlerësimit të nevojave të OSBE-ODIHR-it për një proces të ndershëm e sipas standardeve ndërkombëtare, lidhur me angazhimin e qeverisë për pajisjen në kohë të qytetarëve me letërnjoftime elektronike.

Gjatë takimit që zgjati për mese dy orë, zv/ministri Poni i njohu përfaqësuesit e ODIHR-it me ecurinë ne procesin e listave dhe funksionimin me kapacitete të plota lidhur me aplikimet, prodhimin dhe shpërndarjen e letërnjoftimeve elektronike deri më tani.

Ferdinand Poni: “Patëm një bisedë jashtëzakonisht të frytshme dhe jashtëzakonisht të suksesshme lidhur me standardet, përpjekjet dhe standardet e arritura në realitetin shqiptar, ku përfshihet në mënyrë thelbësore dhe Ministria e Brendshme, kryesisht por patjetër dhe të zgjedhurit vendorë dhe punonjësit e Gjendjes Civile lidhur me një regjistër jashtë mase solid dhe të parametrave ndërkombëtar të Gjendjes Civile që ka gjeneruar lista jashtë mase solide dhe të parametrave ndërkombëtar në më shumë se katër muaj përpara për zgjedhjet e 28 Qershorit që procesi po zhvillohet me kapacitete maksimale, që ne po aplikojmë, që shqiptarët po aplikojnë dhe po prodhohen dokumente të brezit të fundit të teknologjisë”.

Duke e konsideruar një proces tejet të rëndësishëm parapërgatitjen në kohë të infrastrukturës zgjedhore, numri dy i Ministrisë së Brendshme ftoi të gjithë qytetarët që të aplikojnë në kohë për t’u pajisur me letërnjoftime elektronike, duke bashkëpunuar në këtë mënyrë për mbarëvajtjen e këtij procesi që ka nisur në fillim të Janarit./tvklan.al

Gazetar: Jolldiz Mitro