Në Divjakë prania disa vizitorëve të veçantë po tërheq gjithnjë e më tepër vëmëndjen e turistëve. Po flasim për flamingot.

Në çdo ditë të javës tufat e flamingove popullojnë lagunën e Karavastasë, duke qëndruar shumë afër bregut në ujërat e cekëta për t’u ushqyer.

Të mësuar me lëvizjet e njerëzve, këtyre zogjve të bukur mund t’u afrohesh 50 ose 100 metra, pa i ngritur në fluturim. Mundësinë e ka çdo turist që preferon të vizitojë lagunën, bimësinë dhe për të parë edhe shpendët e tjerë në atë zonë.

Edhe bizneset e zonës gjatë kësaj periudhe për shkak të tufave të flamingove po përfitojnë nga numri i vizitave të shumta turistike.

Moratoriumi i gjuetisë dhe qetësia që afron Parku Kombëtar Divjakë – Karavasta ka shtuar masivisht numrin e zogjve. Përveç pelikanit kaçurrel i cili është kthyer tashmë në simbol të qytetit, flamingot ngjallin interes për afërsinë që ato shfaqin me njerëzit.

Tv Klan