Shifrat e bilancit tregtar për muajt e parë të 2009-tës tregojnë se ekonomia shqiptare nuk ndodhet nq krizë.

Në këtë konkluzion kanë dalë dy zëvendësministrat, ai i ekonomisë, Eno Bozdo dhe i financave, Florion Mima.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave eksportet janë gati në të njëjtin nivel si gjatë dy muajve të parë të 2008, për një vlerë totale prej afro 17,1 miliardë lekësh, ndërkaq referuar shifrave numri dy i financave tha se industria fason, që përfaqëson ¾ e eksporteve shqiptare, nuk është në krizë.

Florion Mima: “Eksportet shqiptare përgjithësisht po performojnë me të njëjtin ritëm si në vitin 2008. Rënia vërehet kryesisht në minerale, gurë dekorativ, bimë medicinale, lëndë drusore, rënie e lehtë e cila pothuajse kompensohet totalisht nga eksporti i energjisë elektrike për dymujorin. Lajmi i mirë është që industria e përpunimit aktiv ose fasoneve po performon me të njëjtin ritëm. Frika që kemi pasur për uljen e kërkesave nga porositësit e tyre jashtë territorit të Shqipërisë na rezultoi i pavërtet”.

Eno Bozdo: “Shqipëria nuk ndodhet në krizë. Këto shifra më së fundi dhe zyrtarisht e vërtetojnë. Ne mendojmë se ka qenë seti i dokumenteve, i politikave të ndjekura nga qeveria shqiptare sidomos në dy vitet e fundit, të cilët kanë amortizuar në maksimum ndikimin e problematikës botërore në ekonomi”.

Në krahun tjetër importet kanë shënuar një rritje të lehtë në volum, por ulje në vlerë.

Florion Mima: “Volumi i importit për dymujorin e parë të 2009-tës ndërsa pëson një rritje të lehtë në natyrë, rreth 3%, rezulton të jetë më i ulur në vlerë. Lajmi tjetër pozitiv është që shërbimi tatimore brenda territorit të Shqipërisë po performon në linjë.”

Ndër masat konkrete të ndërmarra nga qeveria për nxitjen e ekonomisë janë rimbursimi i shpejtë i TVSH-së, kredia e butë 25 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme apo kreditimi i interesave për ndërtimin e gjashtë mijë apartamenteve.

Sipas zëvendësministrave të tjera masa lehtësuese pritet të ndërmerren në dobi të biznesit./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro