Foltorja e radhës e ish-Kryeministrit Sali Berisha do të mbahet në qytetin e Kuçovës. Në një postim në rrjetet sociale, Berisha shkruan se takimi do të zhvillohet në orën 17:00, në kinemanë e qytetit.

“Nesër ditën e enjte, më datën 25 Nëntor në ora 17:00 në Kinemanë e qytetit Kuçovë do mbahet “Foltorja: Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”. Ftoj të gjithë demokratët dhe demokratët e Kuçovës të marrin pjesë. Vetëm të bashkuar fitojmë!”, shkruan Berisha.

Kujtojmë që ditët e fundit përplasja Berisha-Basha është intensifikuar pasi të dyja palët kanë shpallur nga një Kuvend Kombëtar. Berisha ka njoftuar mbledhjen e forumit më 11 Dhjetor me pretendimin se mbi 4200 delegatë kanë firmosur për mbledhjen.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha thotë se më 11 Dhjetor nuk ka për të pasur Kuvend, por miting. Për  këtë arsye, me propozimin e tij, Kryesia miratoi disa ditë më parë vendimin që Kuvendi Kombëtar të mblidhet më 18 Dhjetor.

Berisha i ka bërë thirrje Bashës që të dorëhiqet pasi sipas tij e ka çuar PD-në nga humbja në humbje. Ndërsa Basha është shprehur se selia blu nuk ka për t’u kthyer në mburojë të interesave personale të Berishës.

Përplasja Berisha-Basha nisi më 9 Shtator, kur kreu i demokratëve përjashtoi nga grupi parlamentar liderin historik pasi u shpall “non grata” nga SHBA. Pas kësaj, Berisha nisi nismën e tij me foltoret me demokratët./tvklan.al