Nxënësit e shkollave të mesme nuk do të marrin asnjë lek nga shteti për librat që do të blejnë për këtë vit akademik.

Fondi i subvencionimit prej 2.8 milion euro do të vihet në dispozicion të arsimit të detyruar 9-vjeçar dhe për herë të parë në skemën e subvencionimit do të përfshihen edhe nxënësit e arsimit 9-vjeçar privat.

Ky është konkluzioni i arritur gjatë një tryeze mes Ministrit të Arsimit, Genc Pollo, Konfederatës së Arsimit dhe Shoqatës së Prindër-Mësuesve.

Genc Pollo: “Ne biem dakord që këtë shumë ta drejtojmë tek arsimi bazë 9-vjeçar, i cili tashmë që kalon nga 8 dhe 9-vjeçar me të vërtet përfshin një grup edhe me të madh nxënësish për arsye të ndryshme arsimore dhe sociale përveç të tjerave u takon të ndjejnë një mbështetje edhe më të madhe nga shteti.”

Xhafer Dobrusha: “Nxënësit që braktisin shkollën dhe kthehen në shkollë për t’u kompensuar atyre më shumë jo vetëm librat, se librat ata i përfitojnë tani si shokët e tyre duhet t’i përfitojnë, por edhe një minimum ndoshta mjetesh mësimore për të cilat ata nuk janë në gjendje shpeshherë t’i përballojnë”.

Zenel Sina: “Prindërit që janë në nevojë, fëmijët që janë në nevojë të kenë hapësirat më të mëdha që në arsimin bazë nxënësit të shkojnë drejt përfitimit të teksteve në mënyrë totalisht falas”.

Përsa i përket masës së subvencionimit nëse do të jetë 100% apo më pak pritet të diskutohet me Ministrinë e Financave, ndërkaq nga ana e përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit u premtua se këtë vit akademik subvencionimi i teksteve shkollore do të jetë më i shpejt se një vit më parë./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami