Rritja ekonomike e Shqipërisë do të vijojë me ritme të kënaqshme edhe gjatë vitit 2009, madje duke shënuar nivelin më të lartë të rritjes jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë pavarësisht furtunës që ka përfshire ekonominë globale.

I këtij mendimi është Fondi Monetar Ndërkombëtar. Teksa ka raportuar mbi situatën më të fundit ekonomiko-financiare në vend, rreziqet dhe parashikimet për vitin e ardhshëm, në prag të përfundimit të misionit, shefi i FMN-së për Shqipërinë, z.Gerwin Bell, tha se qeveria duhet të jetë e kënaqur edhe me një nivel prej 3,5 deri 4% të rritjes ekonomike.

Gerwin Bell: “Gjatë tremujorit të tretë situata ka qenë mjaft e favorshme dhe e fortë. Nuk ka asnjë arsye për alarm, por në një farë mase edhe Shqipëria mund të preket nga kriza globale ekonomike, ulje të eksporteve, ulje të dërgesave të emigrantëve dhe investimeve të huaja janë disa nga fushat. Për vitin 2009 ne parashikojmë një rritje prej 3,5 deri 4%, e cila gjithsesi do të jetë  norma më e lartë e rritjes ekonomike në rajon dhe më gjerë.”

Ndërsa numri një i Ministrisë së Financave, zoti Ridvan Bode, ishte më tepër optimist për rritjen ekonomike në nivelin 6%.

Ridvan Bode: “Programet e vitit 2009 është një program realist. Ne kemi programuar po ashtu që rritja ekonomike të jetë në të njëjtat parametra. Të jetë rritja më e fortë ekonomike në rajon. Për të mënjanuar efektet që mund të vijnë nga e ashtuquajtura krizë që tashmë ka përfshirë tregjet financiare ndërkombëtare programi për vitin 2009 parashikon një ulje prej rreth një pikë përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto në krahasim me vitin 2008”.

Prognozën për rritjen ekonomike e ka dhënë edhe Banka e Shqipërisë.

Ardian Fullani: Në planin e brendshëm vlerësohet se do të ballafaqohemi me një tkurrje të aktivitetit të kreditimit si dhe linja të kredisë, që bankat mëmë iu akordojnë bankave të tyre bija në vend. Bazuar në argumentet e mësipërme, Banka e Shqipërisë vlerëson se është rritur mundësia që të materializohet një ngadalësim i aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2009.”

Ministri Bode ka theksuar se bashkëpunimi me Fondin Monetar do të vijojë dhe në vitin e ardhshëm, por në forma të tjera, ndërkaq ai siguroi se qeveria po tregohet realiste dhe konservatore që buxheti i vitit të ardhshëm që korrespondon me një vit zgjedhor të mos destabilizojë ekonominë shqiptare./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro