Blendi Fevziu: ”Zoti Frattini, faleminderit që pranuat ftesën tonë për këtë intervistë”.

Franko Frattini: “Faleminderit juve!”

Blendi Fevziu: ”Mendoj se i keni kushtuar shumë kohë Shqipërisë në komisionin evropian në Bruksel, por dhe këtu në Itali. Do të doja t’ju bëja pyetjen e parë e cila ka të bëjë me liberalizimin e vizave. Ju keni qenë nga më entuziastët në këtë drejtim. Keni deklaruar në Shqipëri se brenda vitit 2009 shqiptarët mund të marrin një anije nga Durrësi dhe të shkojnë në Bari pa viza, por mua mu desh vizë për të ardhur këtu.”

Franko Frattini: “Sigurisht, por unë shpresoj se kjo gjë do të mbarojë shumë shpejt. Mendoj se brenda Dhjetorit të këtij viti do të mbarojë dhe do të ndryshojë mekanizmi për të lejuar shqiptarët të lëvizin pa vizë. Ka disa procedura. Disa janë detyra teknike. Qeveria shqiptare po pajis qytetarët me pasaportat biometrike. Është një çështje e rëndësishme e kontrollit të kufijve, të emigracionit të paligjshëm. Më pas duhet marrë një vendim në bazë të raportit të komisionit evropian. Unë i kam bërë një kërkesë komisionit evropian, e cila është mbështetur nga vende të tjera të BE-së që të kemi brenda muajit Maj raportin e komisionit evropian për secilin nga vendet. Meqenëse unë e di që Shqipëria ka hedhur hapa shumë të rëndësishëm pres që raporti të jetë pozitiv. Nëse raporti është pozitiv nga Maji në Dhjetor kemi kohë për të përfunduar dosjen.”

Blendi Fevziu: ”Përveç detyrave të qeverisë shqiptare për pajisjen me pasaporta biometrike, mbrojtjen e kufijve e të tjera mjafton për këtë proces?”

Franko Frattini: “Mendoj se po. Nëse ka një vullnet politik si ai që kisha unë kur isha zv/president i komisionit evropian dosja mund të plotësohet. Nuk ka kundërshtime politike, edhe pse është një kompetencë e komisionit evropian që vendet anëtare po inkurajojnë.”

Blendi Fevziu: ”Kjo do të thotë që brenda Dhjetorit komisioni evropian mund të marrë një vendim për liberalizimin e vizave?”

Franko Frattini: “Mendoj se kushtet janë të përshtatshme. Jo vetëm mundet nga ana ligjore, por ekzistojnë arsyet themelore për ta marrë këtë vendim.”

Blendi Fevziu: ”Cilat janë?”

Franko Frattini: “Arsyet që Shqipëria i ka plotësuar kushtet e përshkruara, kontrollin e sigurisë, luftën kundër krimit të organizuar, pasaportat biometrike, lufta kundër emigracionit klandestin. Ne si Itali kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Shqipërinë në luftën kundër trafiqeve, trafikut të drogës, të qenieve njerëzore, të krimit të organizuar, të cilët kanë qenë gjithmonë problem, por tani nuk janë më. Në Itali janë 440 mijë shqiptarë që janë integruar më së miri dhe nuk krijojnë asnjë problem.”

Blendi Fevziu: ”Zoti Frattini, ju thatë se Shqipëria ka bërë hapa para drejt Italisë apo imazhi i Shqipërisë ka ndryshuar?”

Franko Frattini: “Ka bërë një hap përpara drejt Bashkimit Evropian dhe ka arritur një rezultat historik me hyrjen në NATO. Ne pamë kryeministrin Berisha, qeverinë shqiptare të pranishme në takime në nivele të lartë në NATO. Ka qenë një rezultat, të cilit Italia i ka dhënë një mbështetje të madhe që në fillim. Kjo e ndihmon shumë imazhin e Shqipërisë. Për Italinë më parë Shqipëria ishte një vend nga i cili vinin përditë klandestinë me gomone. Tani asnjë se kujton këtë gjë.”

Blendi Fevziu: “Ka gjithmonë skepticizëm për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Ka mjaft debate në Tiranë. Cili është opinioni juaj?”

Franko Frattini: “Mendoj se do të jetë e rëndësishme të vlerësohet kërkesa e Shqipërisë pasi ajo ta paraqesë atë sepse s’është paraqitur ende formalisht, por kërkesa duhet të përparojë.”/tvklan.al