Me mesazhe të gjata që rikonfirmojnë një angazhim të hershëm të Italisë për integrimin e Shqipërisë, ka mbërritur në Tiranë ministri i Jashtëm i vendit Franco Fratini. Ai i konsideroi marrëdhëniet mes dy vendeve të jashtëzakonshme, model për nga bashkëpunimi ekonomik në luftën kundër krimit të organizuar. Të gjitha këto u përkthyen në atë që Fratini e cilësoi imazh i rritur dhe i përmirësuar ndjeshëm i Shqipërisë.

Franco Fratini: “Italia mbështet dhe do të mbështesë vokacion euroatlantik të Shqipërisë, pasi ne mendojmë se Shqipëria mund të bëjë shumë për Bashkimin Evropian dhe NATO-n.”

Për sa i takon kësaj të fundit, Fratini pas takimit me ministrin Basha dha lajmin se në pak javë këshilli i ministrave dhe më pas parlamenti italian do të ratifikojnë protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë. Një mbështetës i hershëm i procesit të liberalizmit të vizave Shqipëri-Bashkimi Evropian brenda vitit 2009, Fratini nuk harroi ta ripërsërisë edhe një herë në Tiranë, atë që për kryediplomatin italian përbën një fakt të prekshëm.

Franco Fratini: “Lashë Komisionin Evropian dhe parakushte shumë të qarta dhe rigoroze për të gjitha vendet që duan një regjim të liberalizuar. Prej këtyre 2 ishin më të rëndësishmet që Shqipëria i ka përmbushur, ai mbi sigurinë e identifikimin e shtetasve me të dhëna biometrike, si garancia e vetme për të parandaluar falsifikimin dhe legjitimitetin dhe kushti i dytë lufta krimit të organizuar ndërkombëtar. Nëse këto procese do të vazhdojnë së bashku me reformën zgjedhore atë në sistemin e drejtësisë të cilat nuk janë kushte pasi kushtet e vërteta pothuajse janë realizuar përfshihet edhe një element tjetër siç është kontrolli i kufijve për të cilin rezultatet flasin se është bërë përpara. Ja pse besoj se nga sot në verën e 2009 procesi i liberalizimit do të përmbushet.”

Me të njëjtin optimizëm ka përcjellë mesazhin me homologun e tij  ministri Basha, i cili nuk harroi të falënderoi mikun italian që ju përgjigj pozitivisht ftesës së tij.

Lulzim Basha: “Dëshiroj të theksojë edhe një herë vlerësimin tonë për Italinë si mbështetëse e fuqishme e aspiratës dhe objektivit të Shqipërisë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Me këtë rast informova ministrin Fratini për rezultatet e kësaj periudhe duke ju referuar në veçanti reformave ekonomike, ligjore dhe politike dhe vlerësimeve tashmë të bëra dhe nga organizata ndërkombëtare të tilla si banka botërore, raporti mbi klimën e biznesit në Shqipëri apo Transparency International për reformat në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionitsi dhe mbi reforma të tjera në vazhdim, reformën elektorale dhe reformën në drejtësi.”

Takimi i zhvendos në konferencën vjetore të ambasadorëve shqiptar të akredituar në botë. Në takim kryetari i qeverisë Sali Berisha do të vinte theksin në një dimension të ri jashtë konceptit tradicional për diplomacinë shqiptare.

Sali Berisha: “Ambasadori duhet të ndryshojë veten e tij nga punëtor politik duhet ë shtrohet në punëtor ekonomik. Ministria nuk është e organizuar në këtë formë, do ta riorganizojmë tërësisht, duhet ët krijoni task-forcën të kryesuar nga ambasadori, në këtë task-forcë ju mund të angazhoni shuam nga shqiptarët, të cilët punojnë dhe jetojnë në vendin ku ju jeni. Shumë nga qytetarë e atyre vendeve, miq të Shqipërisë që duhen të ndihmojnë, ministria të përparësojë rekrutimin e ekonomisë në shërbimin diplomatik. Në një botë që ndryshon ne duhet të ndryshojmë. Kjo kërkon zotërinj ambasadorë që në agjendën tuaj të përditshme takimet me botën e biznesit të jenë konstane. Shqipëria ka nevojë më shumë se për çdo gjë tjetër për investime të huaja.”

Në fjalimin e tij kryeministri vlerësoi se 2008 ishte një vit historik duke përmendur pavarësinë e Kosovës, ftesën për në NATO në Bukuresht që pasoi me nënshkrimin e protokollit, cikël që do të mbyllet në prillin e vitit 2009  me anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancë gjë për të cilën sinjale ndërkombëtare janë shumë të forta. Ministri Fratini i cili përshëndeti konferencën i mëshoi pikërisht idesë së kryeministrit Berisha për një demokraci ndryshe me orientim të fortë ekonomik që i shërben zhvillimit të vendit./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi