Ka nga ata që tentojnë të luajnë futboll, por nuk i lejnë. Ka ndodhur në Peshkopi ku skuadra vendase Korabi e kategorisë së dytë duhet të luante me Mamurrasin, por kjo nuk ka ndodhur. Drejtuesit e federatës së futbollit nuk kanë lejuar të zhvillohet kjo ndeshje pasi bashkia e Peshkopisë, pronare e ligjshme e Korabit nuk ka federuar futbollistët e skuadrës si dhe nuk ka paguar edhe disa detyrime të tjera afërsisht 2 milion lekë.

Skuadra e Mamurrasit bashkë me tifozët është larguar me ndeshjen e fituar edhe pse nuk kanë luajtur asnjë minutë. Më të zhgënjyer kanë mbetur tifozët dibranë të cilët ishin nisur për në stadium për të parë ndeshjen, por janë kthyer pa e ndjekur atë madje dhe me dëshpërimin se skuadra e tyre ka humbur këtë ndeshje në tavolinë./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe