Andrea Tedesco do të jetë trajner i kombëtares shqiptare të 17-vjeçarëve. Falë një eksperiencë të pasur si trajner në Itali, por edhe në nivel ndërkombëtar, ai është bindur nga Federata Shqiptare për të marrë drejtimin e skuadrës që do synojë kualifikimin në Europianin e vitit 2025

Tedesco ka firmosur për një vit me kombëtaren kuqezi teksa do të drejtojë Kombëtaren drejt finaleve të kompeticionit që do mbahet në vendin tonë vitin e ardhshëm.

Tekniku 39-vjeçar së fundmi ka qenë në krye të Napolit U-19, teksa më parë për dy sezone ka drejtuar edhe Kombëtaren U-19 të Maltës.

Gjithashtu Andrea Tedesco ka qenë edhe në rolin e zëvendëstrajnerit te skuadra rumune Universitatar Craiova 1948. Ndërsa në fillimet e karrierës ka drejtuar edhe skuadrën italiane Casertana.

Trajneri i ri i ekipit Kombëtar U-17, Andrea Tedesco, do të qëndrojë në Tiranë për sa kohë të jetë në krye të Shqipërisë U-17 për të qenë sa më pranë futbollit shqiptar e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Ai do të jetë i angazhuar maksimalisht gjatë gjithë kohës për të ndjekur e monitoruar talentet si edhe do të nisë menjëherë nga puna për t’u përgatitur sa më mirë për finalet e Kampionatit Europian U-17, që do të zhvillohen në vendin tonë nën organizimin e FSHF-së në bashkëpunim me UEFA-n.

Klan News