Fushata për zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen ditën e diel në Maqedoni po shkon drejt fundit, ndërsa partitë maqedonase, por edhe ato shqiptare vazhdojnë në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e votuesve. Nuk kanë munguar incidentet gjatë kësaj fushate, por duket se tashëm partitë janë përqendruar më tepër tek debatet dhe prezantimi i programeve.

Në fakt kryeministri Gruevski, i cili udhëheq edhe koalicionin për një “Maqedoni më të mirë” i është shmangur debatit me liderin e opozitës Shekerinska, ndërsa për herë të parë në televizionet maqedonase nuk kanë munguar edhe përballjet publike mes kandidatëve shqiptarë dhe atyre maqedonas. Nuk ka ndryshuar në thelb përmbajtja e fushatës, por ka ndryshuar në mënyrë të dukshme prezantimi apo estetika e cila sigurisht që ka pësuar një evoluim të ndjeshëm madje dhe në partitë shqiptare.

Partia Demokratike e Menduh Thaçit është ajo që po organizon takimet elektorale në stilin amerikan të fushatës ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit është fokusuar më tepër tek billbordet të cilat kanë pushtuar jo vetëm kryeqendrat e banuara nga shqiptarët e Maqedonisë, por edhe vetë Shkupin dhe në thelb ajo çka partitë shqiptare ofrojnë për elektoratin nuk ka ndryshuar.

Përdorimi i simboleve kombëtare dhe debati për përdorimin e gjuhës shqipe vazhdon të mbetet ndër pikat kryesore të programit të 5 partive shqiptare që garojnë veçmas në zgjedhjet e përgjithshme. Nga ana tjetër të dy koalicionet e mëdha të partive maqedonase kanë në qendër të debatit mënyrën se si do të zgjidhet çështja e emrit të ardhshëm të Maqedonisë. Ndërsa koalicioni i drejtuar nga Gruevski kërkon zhvillimin e një referendumi, opozita e Shekerinskës këmbëngul për një zgjidhje të shpejtë, gjë që do të thotë dhe një integrim po kaq i shpejtë i Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO./tvklan.al

Gazetare: Desada Metaj