Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka zhvilluar një takim në qytetin e Fushë-Arrzit. Në fjalën e tij Mediu është ndalur në arritjet e koalicionit të djathtë në këto katër vjet. Sipas Mediut reformat e ndërmarra nga qeveria kanë qenë të suksesshme pasi kjo u finalizua dhe me anëtarësimin e Shqipërisë ne NATO me te drejta te plota.

Fatmir Mediu: “Në thirrjen time të vazhdueshme ta bëjmë Shqipërinë si Evropa, ta bëjmë Shqipërinë NATO, një ëndërr që pak kush e besonte. Ne kthyem motra dhe vëllezër besim tek zoti, ne kthyem besim tek liria, por ka ardhur momenti që ne duhet të kthejmë besimin tek e ardhmja dhe këtë besim tek e ardhmja duhet ta pasojmë pikërisht në ëndrrën e fëmijëve tanë e mundësinë e tyre për tu arsimuar dhe edukuar në ëndrrën tonë për të ndërtuar ekonominë familjare nëpërmjet punës. Qeverisja duhet patjetër të mos kënaqet me atë gjë që ka realizuar, por duhet të hapë shanse dhe mundësi që çdo burrë dhe çdo grua të ketë një shans për të punuar dhe shanset për të zhvilluar ekonomikisht Pukën dhe të gjithë Shqipërinë janë të jashtëzakonshme. Prandaj është mëse e domosdoshme, që në këto vite të ardhshme, në 4 vjet të tjera qeverisëse ne të vazhdojmë përpara.”

Gjatë fjalës së tij kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu është ndalur dhe në ndërtimin e rrugës Durrës- Kukës duke e quajtur atë si vepra më madhështore që ka patur më parë Shqipëria. Në fund Mediu është shprehur optimist ne fitoren e koalicionit të djathtë në zgjedhjet e 28 qershorit./tvklan.al