Pas përfundimit të seancës për çështjen e “Gërdecit” në GJKKO, ka folur për mediat ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Ai u shpreh se nuk ka asnjë ngarkesë penale për këtë ngjarje, duke thënë se sot është paraqitur në respekt të drejtësisë dhe për faktin se janë thirrur dëshmitarë që kanë punuar me të në kohën kur ishte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.


“Erdha sot sepse sot kishte të bënte me dëshmitarë që kanë punuar me mua, dëshmitarë që kanë përgatitur urdhra, shkresa. Që kanë ndjekur zbatimin e urdhrit të Ministrit të Mbrojtjes, kurse dëshmitarët më parë nuk kanë pasur lidhje me ministrin e Mbrojtjes, qoftë dhe me akuzën për shpërdorim detyre.  Erdha në respekt të gjykatës, në respekt të drejtësisë, duke shprehur dhe njëherë ndjesën time të madhe për atë që u ka ndodhur familjarëve në vitin 2008, të cilën e kam bërë dhe atëherë kur isha ministër Mbrojtjeje duke dhënë dorëheqjen. Unë nuk e zhbëj dot më atë që ka ndodhur, këtë e thashë sot dhe kërkoj ndjesë thellë. Për më tepër erdha dhe të deklaroj që ky proces duhet të jetë i ligjshëm. Duhet të jetë një proces i ndërtuar barabartë për të gjitha palët.”

Mediu theksoi po ashtu se në 10 vite nuk ka pasur asnjë akuzë të ngritur ndaj tij nga Prokuroria dhe se asnjëherë nuk i është shmangur proceseve gjyqësore.

“Së pari në respektim të Kodit të Procedurës Penale, Kushtetutës dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut mendoj  që është shkelur një nga pikat më të rëndësishme të garancisë së procesit gjyqësor që ka të bëjë me parashkrimin. Po ju përmend vetëm një fakt, Gjykata e Lartë ka thënë që nuk ka pezullim parashkrimi për ekzekutimin e vendimit, që do të thotë që një njeri i dënuar i cili fshihet, largohet për t’i shpëtuar vendimit, pas një kohe është i pafajshëm. Për mua për 10 vjet nuk kam pasur asnjë akuzë, kam qenë pa asnjë ngarkesë penale dhe për më tepër kam qenë këtu, as nuk i jam fshehur proceseve, as nuk i jam fshehur ballafaqimeve me drejtësinë. Dhe kjo shkelje është terësisht flagrante për një njeri që prezumohet i pafajshëm, nuk ka pasur procedim penal, të kërkohet që të mos respektohet afati i parashkrimit. Por jo vetëm kaq, ka dhe një gjë tjetër shumë thelbësore që ka të bëjë me dëshmitarët.

Unë mendoj se thirrja e dëshmitarëve, si Këshilltari i Sigurisë së Presidentit Obama njëkohësisht komandanti suprem i NATO-s, po ashtu dhe zv. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, ministri gjerman i Mbrojtjes, ministri italian i Mbrojtjes, përfaqësues të kompanive që kanë punuar për 14 vjet dhe na kanë mësuar si janë urdhrat, ligjet, si i bëhet me demontimin e tepërt, kush janë kostot, të injorohen me faktin se nuk janë relevantë. Unë mendoj se këta janë shumë më tepër relevantë sesa disa njerëz që kanë punuar në Gërdec, apo të ashtuquajturit ushtarakë, apo dhe shoferë të cilët jo vetëm nuk kanë dijen për urdhrin e ministrit, por nuk kanë as dijeni të vlerësojnë akuzën për shpërdorim detyre.  Mendoj që këta njerëz na kanë mësuar se Forcat e Armatosura janë një strukturë e veçantë dhe si e tillë bazohet në një ligj të veçantë, të cilat tregojnë se kur një ministër Mbrojtjeje jep një urdhër përcakton komanda apo drejtori për zbatim, ato janë të detyruara ose ta zbatojnë, reklamojnë ose të mos e zbatojnë kur është i paligjshëm. Ministri i Mbrojtjes nuk ka pasur në gjithë këtë histori asnjë moment të vetëm kur të jetë njoftuar që ka një problem në Gërdec dhe po ta shihni në të gjitha dëshmitë sot nuk ka asnjë moment që të jetë kontestuar urdhri i ministrit gojarisht.”

I pyetur se cili ishte roli i djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha në këtë çështje, Mediu u përgjigj duke thënë se nuk ka asnjë dijeni.

-A keni dijeni se nga kush është bërë shënim për Shkëlzen Berishën dhe cili ishte roli i tij në këtë çështje?

Fatmir Mediu: Nuk ka pasur nga Ministria e Mbrojtjes një fax të tillë, s’kam asnjë dijeni, një ditë më përpara këtij faxi ka ardhur vendimi i Ministrisë së Drejtësisë i shprehur në mbështetje të vendimit të VKM-së. Nuk kam ndonjë shpjegim…Unë nuk kam qenë në dijeni të këtij dokumenti asnjëherë, jam vënë në dijeni pasi ka ndodhur ngjarja, dhe nuk ndikonte në vendimet e mia. Kjo tregon mungesë të raportit me zotin Berisha për këtë çështje, se ndryshe pse duhet të vinte letra e Ministrisë së Drejtësisë.  Urdhrat për demontimin e municioneve i bën vetëm Ministri i Mbrojtjes sipas ligjeve  Ministri ka për detyrë të zbatojë vendimet e Këshillit të Ministrave. Unë nuk di të kem komunikuar, por në atë kohë kemi pasur disa ngjarje të rënda. Çështja e municioneve ishte e interesit të ministrit, ky demontim ka mbaruar në vitin 2013 . Çdo shkresë unë ua kam përcjellur për mendim strukturave më të larta ushtarake dhe civile. Ministri i Mbrojtjes nuk është ushtarak, nuk njeh kalibra.

Ai shtoi po ashtu se kërkon zhvillimin e një procesi të drejtë gjyqësor.

-A keni besim se Gjykata e Posaçme do të bëjë drejtësi?

Fatmir Mediu: Gjykata e Lartë po ashtu e ka deklaruar në rekursin që kemi bërë për vendimin e Apelit, që Gjykata duhet të vlerësojë parashkrimin pikërisht në momentin kur Prokuroria ndërton akuzën, gjë e cila nuk ka ndodhur dhe unë e drejtova këtë shqetësim sot te kryetari i seancës se o kemi proces, o nuk kemi proces. Nuk i shmangem me procedurë procesit, por kërkoj një proces të drejtë dhe duhen të gjitha garancitë ligjore. Parashkrimi është pjesë e Kodit Penal./tvklan.al