Avokati Gjokutaj: Atë kërkesë do ja qepim në pallto gjyqtares Irena Gjoka, s’ka rrugë tjetër

GJKKO ka rrëzuar kërkesat e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për revokim të masave të sigurisë. Këta të fundit akuzohen për korrupsion sa i takon aferës për ish-klubin sportiv “Partizani”.

Siç thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës, për Berishën dhe Malltezin do vijojë të zbatohet masa e “arrestit në shtëpi”, pasi kërkesat janë të pabazuara në ligj dhe prova.

Gjykata ka vendosur rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të hetuarit Sali Berisha, me objekt “Kërkohet revokimi i masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr.112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vazhduar zbatimi me Vendimin nr.117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj kërkuesit lënë në fuqi me vendimin nr.56, date 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndryshuar me vendimin nr.520, date 30.12.2023, lënë në fuqi nga  Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si të pabazuar në ligj dhe në prova”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ndërkohë avokati i Berishës pati një prononcim për gazetarët pas mbarimit të seancës gjyqësore.


“Atë kërkesë do ja qepim në pallto, se ne nuk kemi rrugë tjetër që të merremi me këto lloj gjykate”, u shpreh ai referuar gjyqtares Irena Gjoka.

Ai u pyet edhe për çështjen e “21 Janarit”, e cila sipas Gjykatës së Lartë do të hetohet nga SPAK.

Pyetje: Gjykata e Lartë pranoi rekursin e bërë nga Rajmonda Nika, e veja e Aleks Nikës i vrarë më 21 Janar 2011. Një nga të kallëzuarit është ish-kryeministri Sali Berisha. Në këndvështrimin tuaj, a e rëndon kjo pozitën penale të zotit Berisha për sa kohë ai ndodhet në “arrest shtëpie” i akuzuar për veprën penale të korrupsionit? Tashmë një tjetër hesap i hapur me drejtësinë shqiptare.

Genc Gjokutaj: Shiko, familja Nika duke i shprehur ngushëllimet ka të gjithë të drejtën e Zotit të kërkojë të drejtën e saj. Por, kjo e drejtë e saj qëndron në këto parametra derisa nuk instrumentalizohet nga Edi Rama dhe politika. Ky është problemi që kemi ne. Për dijeninë tuaj, nëse e mbani mend ministri aktual i Drejtësisë ka bërë një kallëzim në SPAK dhe SPAK ka vendosur moskompetencë. Që do të thotë ne nuk kemi evidentuar fajësi për personat që i përfshin neni 75, që do të thotë subjektet ishin zoti Basha dhe Berisha, se për ato është bërë ai kallëzim. Tani Gjykata e Lartë ia kthen këtij SPAK-u që ka vendosur moskompetencë për të njëjtën gjë. Dhe ai vendim i Gjykatës së Strasburgut nuk është detyrues për SPAK-un./tvklan.al