Lajme Arkiva 2003

Gjykata nisi procesin gjyqësor ndaj ish drejtorit të Policisë Ndërtimore të Tiranës Vafsi Gupe dhe numrit dy të kësaj drejtorie Erjon Softa. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe konkretisht për moszbatim të urdhrit të drejtorit të përgjithshëm të policisë ndërtimore.

Bëhet fjalë për lejimin e ndërtimit të një pallati 7 katësh  në mënyrë të jashtëligjshme pranë lagjes Laprakë në kryeqytet. Sot të pandehurit u njohën me akuzën në sallën e gjyqit në seancën përgatitore të drejtuar nga gjyqtari Gjin Gjoni.

Po në Gjykatën e Tiranës ka nisur procesi për padinë e kryetarit të Partisë Demokrate të Reformuar Genc Pollo kundër kryeadministratorit të fajdeve Farudin Arapi.

Ky i fundit u padit nga zoti Pollo për shpifje dhe ka kërkuar dëmshpërblimin moral prej 5.000.000 Lekësh të reja prej tij. Vetëm gjatë muajve të fundit në gjykatën e rrethit të Tiranës janë dorëzuar 3 padi nga politikanë të ndryshëm. Ata pretendojnë se janë fyer publikisht./tvklan.al