Lajme Arkiva 2003

Gjykata Kushtetuese ka vendosur për rastet ku ngrihen dhe çfarë çështjesh shqyrtojnë komisionet hetimore. Gjykata e mori këtë vendim pas një kërkesë të 32 deputetëve të Partisë Socialistë për të interpretuar kushtetutën se çfarë ishte një çështje e veçantë duke pasur parasysh ngritjen e një komisioni hetimor anti Rama.

Fehmi Abdiu: Komisionet hetimore janë mjet efektiv kontrolli që veprojnë vetëm brenda hapësirës kontrolluese të parlamentit të cilat ngrihen për çështje të veçanta të lidhura në mënyrë funksionale me pushtetin e ligjvënësve. Çështjet e veçanta që përbëjnë thelbin e objektit të veprimtarisë së komisioneve hetimore parlamentare, të cilat e përmbajnë në vetvete interesin publik, janë ato që hetohen në aspektin kontrollit të zbatimit të ligjeve të njohjes dhe të verifikimit në thellësi të një fenomeni, ngjarje apo veprimtarie dhe që nxisin iniciativa për propozime,mendime apo miratime ligjesh me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë dhe shtetin dhe për nxjerrjen e përgjegjësive institucionale.

Vendimi i gjykatës ka sjellë deklarata të ndryshme nga socialistët dhe demokratët të cilët e kanë interpretuar atë në favor të tyre.

Spartak Braho: Unë do të thosha se pas këtij vendimi komisioni Rama duhet të pushoj.

Por sekretari i çështjeve ligjore në Partinë Demokratike Ilir Rusmali ka pohuar se vendimi prapaveprues i Gjykatës Kushtetuese lë në fuqi komisionin Olldashi./tvklan