“Asnjë vendim deri në zgjidhjen e çështjes së vulës”

Gjykata Civile e Tiranës vendosi këtë të hënë të rrëzojë kërkesën e Lulzim Bashës për regjistrimin e ndryshimeve në statutin e Partisë Demokratike të bëra në Kuvendin e 2 shtatorit të këtij viti dhe ta pezullojë çështjen.

Gjyqtari Niko Rapi argumentoi nëpërmjet këtij vendimi se nuk mund të bëhet asnjë lëvizje tjetër deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së vulës dhe logos.

Gjykata konstatoi se pa u zgjidhur konflikti që është në Gjykatën e Lartë mbi Kuvendin Kombëtar të 11 Dhjetorit 2021 të thirrur nga Berisha, nuk mund të zhvillohet dhe të konsiderohet i vlefshëm asnjë Kuvend Kombëtar i mëpasshëm apo një Statut i ndryshuar.

Me këtë statut, Lulzim Basha i dha vetes edhe të drejtën për të qenë Kryetar i Grupit Parlamentar, por mosregjistrimi i tij e komplikon juridikisht çështjen. Pikërisht çështja nëse Basha mund t’i ushtrojë të drejtat e kryetarit të grupit, i ndan palët, të cilat e pranuan vendimin për pezullimin. Përfaqësuesit e Gazmend Bardhit që drejton grupin parlamentar thonë jo.

“Ëndrra e Lulzim Bashës për t’u bërë kryetar i grupit parlamentar të PD, kundër vullnetit të deputetëve demokratë do vazhdojë të qëndrojë e mbyllur në sirtarin e Lindita Nikollës”.

Ndërsa pala e Lulzim Bashës thotë se pavarësisht se ndryshimet statutore të 2 shtatorit nuk u regjistruan nga Gjykata, ato mund të vijojnë të zbatohen.

“Organet statutore të PD duke filluar nga kryetari dhe çdo strukturë tjetër poshtë kryetarit vazhdojnë të jenë funksion, pavarësisht vendimit të gjykatës dhe partia vazhdon të funksionojë me të njëjtat ritme”.

Grupi i Gazmend Bardhit sqaroi në një reagim se në këtë mënyrë gjykata nuk e njohu Lulzim Bashën dhe Kuvendin e tij të 2 shtatorit dhe nga ana tjetër njohu grupin e deputetëve të Bardhit si palë, duke përfaqësuar kështu në gjykim Partinë Demokratike. Por pala tjetër thotë se me këtë vendim gjykata provoi se Lulzim Basha është kryetar i PD.

Tv Klan